Kryeministri Edi Rama u zhvendos personalisht në Rinas mbrëmjen e së hënës për të pritur sasinë e radhës të vaksinës së kompanisë Pfizer në sasinë e rreth 7 mijë doza, pjesë e 40 mijë dozave të premtuara nga kompania brenda gjysmës së parë të muajit mars.
Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast, Rama zbuloi se Shqipëria përveçse është pranë arritjes së marrëveshjes me kompaninë AstraZeneca, ndërsa thotë se një vend mik ka premtuar 360 mijë vaksina të kësaj kompanie në muajin prill.
“Jemi në komunikim për të arritur një marrëveshje me AstraZeneca dhe si ju kam thënë komunikimet janë në disa rrafshe. Kemi marrë konfirmim nga një shtet mik për 360 mijë doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca që do të fillojnë të lëvrohen në muajin prill”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se nuk ka asgjë zyrtare dhe se këto janë premtime paraprake nga bisedimet intensive, që thotë se ka ndërmarrë Shqipëria për të siguruar vaksinën për qytetarët.
“Po e jap si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi firmosur dhe vulosur marrëveshjen, pasi në një situatë që ndryshon çdo ditë, çdo fjalë mund të duket si propagandë. Konfirmimi vjen si rezultat i një komunikimi intensiv dhe shpresoj që në ditët në vijim të kemi një kontakt në nivel të lartë me qeverinë e këtij shteti dhe çdo gjë do të bëhet publike”, u shpreh ai.
Në këtë konferencë, Rama nuk e përjashtoi mundësinë që Shqipëria të shtrijë dorën për vaksina nga Kina.
“Ne kemi qenë qysh në fillim dhe ndjekim atë që është korniza ku ne ndjehemi pjesë dhe duam të integrohemi, BE. E parë në aspektin e marrëdhënieve ne sigurisht mund ta bënim këtë përçapje, mbase mund ta bëjmë në një moment të dytë, por nuk do doja që ta bënim se kjo do të ishte shumë e rëndë për BE. Për mua është shumë e rëndë që Maqedonia e Veriut u detyrua t’i drejtohet Kinës për të marrë vaksinën kineze. Ishte e rëndë për BE”, u shpreh ai.
Ministrja Manastirliu tha nga ana tjetër se javën e ardhshme pritet dërgesa e radhës me rreth 8 mijë doza.
“Do të kemi duke filluar nga java e ardhshme një sasi rreth 8 mijë dozash që do vijnë dhe më pas nga data 1 mars dhe data 15 mars ashtu sikurse e kemi thënë 40 mijë dozat në total të serisë së parë të Pfizer. Paralelisht nga instrument i COVAX kemi marrë një përgjigje pozitive përsa i përket dritares së parë ku janë 141 mijë doza AstraZeneca për të ardhur në tremujorin e parë dhe të dytë”, u shpreh ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.