Rezoluta për integrimin ka rikthyer debatin në Parlament për çështjen e integrimit. Nisma e paraqitur nga deputetet e Rudina Hajdari dhe Senida Mesi ishte shkaku që opozita e re të paraqiste kushtet e saj për ndryshimin e sistemin zgjedhor, duke theksuar edhe një herë Shqipëria nga 5 kushte që kishte u vendosën nëntë të tjera.
“Unë nuk e mbaj më shpresën te negociatat. Sot flitet për kushtet e Bundestagut gjerman. Ato nuk janë kushte. Për ne nuk duhet të kenë rëndësi deklaratat e tyre, por nevojat e qytetarëve. Sot dua t’i drejtohem socialistëve me një thirrje: Ose e reformojmë shtetin ose i lëmë reformat në harresë. Përmes propozimeve tona konkrete do përcaktohet edhe mënyra se si do votojnë emigrantët. Rama kur diskutohet për negociatat dhe integrimin nuk është prezent. Ai mund ta bëjë reformën zgjedhore me faza. Ai mund ta bëjë duke blerë vota me arnime, mund të blejë katër e pesë deputetë këtu, por nëse do Reformë si e kërkon BE dhe SHBA duhen reformuar të gjitha hallkat e sistemit. Reforma Zgjedhore duhet kryer në një kohë”, u shpreh Ralf Gjoni.
Deputetja socialiste Mimi Kodheli tha në sallë se Kuvendi i ka të gjitha mekanizmat për zbatimin e kushteve të vendosura për çeljen e negociatave. “Le t’i japim një shans shpresës sonë europiane duke punuar bashkë dhe pa shkopinj nën rrota. Duhet bashkëpunim që Shqipëria të marrë PO për çeljen e negociatave sepse shqiptarët e meritojnë”, u shpreh Kodheli.
Bushati: Thirrje për pakt kombëtar, 30 vite notuam kundër rrymës
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë fjalës së tij në Parlament u shpreh se Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe se për këtë kjo ka një kosto. Ai vlerëson qëndrimin e Gjermanisë, që sipas tij, është një nga shtet që ndjek nga afër procesin dhe se vendosjen e kushteve, e sheh si një proces që ky shtet ka përdorur edhe më parë, duke kujtuar këtu kushtin e vendosur nga Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Qëndrimi i Gjermanisë nuk duhet ta në vijë surprizë. Gjermania është vendi që ka investuar më shumë në Ballkan. Në këtë kontekst, pavarësisht se flasim për kushte, besoj se si shqiptarë të mirë që jemi, duhet të flasim për të rritur standardet në jetën e përditshme. Lufta politike në vend është absurde. Leksioni numër një që kam nxjerrë për këtë proces, që të përparojmë na duhet një konsensus kombëtar. Ne kemi notuar kundër rrymës. Të notosh kundër rrymës ti nuk ke suksesin që kërkon. Prandaj kam propozuar një pakt për Europën, nuk diskutohet se barrën kryesore e ka qeveria, por jo vetëm. Reforma zgjedhore është një vit e gjysmë që është në tryezën zgjedhore. Ne duhet të kemi guxim për të projektuar të ardhmen e fëmijëve tanë. Çështje kryesore në këtë themel është : ku jemi ne? Ikën 30 vite. Jemi vendi që nuk na janë ndarë për 30 vjet, çështjet e reformës zgjedhore dhe asaj të reformës në drejtësi”, theksoi Bushati.
Rama i përgjigjet Bashës: Ku e gjen dekretin hyjnor për planet
Pas disa diskutimeve ka ardhur edhe ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama. Ai i kërkoi fjalën Ruçit, duke bërë që të mos lejonte ministren Spiropali të fliste siç ishte parashikuar. Në 40 minuta diskutim në Parlament kryeministri foli për çështjen e integrimit dhe reformën zgjedhore.

Lideri i mazhorancës doli hapur kundër qëndrimeve se Gjermania ka vendosur kushte ndaj Shqipërisë dhe duke sulmuar jo vetëm opozitën, por edhe zërat që dolën brenda mazhorancës siç ishte ish-kryediplomatit Ditmir Bushati. “Dëgjova njërin këtu që tha se kishim 3 kushte, u bënë 9 kushte. Çfarë do me thënë kjo? KE para një viti tha “plotësoni këto 3 kushtet, që të hapim negociatat”. Ne këto 3 kushte i kemi plotësuar. Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto 3 kushte, pasi t’i i plotëson të thonë se kanë kushte të tjera, kjo do të thotë se nuk janë gati ata. Mos u bëni qesharakë”, tha Rama. Sipas tij, sot debati nuk ka të bëjë me standardet e BE-së, por për faktin e ekzistencës së BE-së, debatin të brendshëm politik. “Sot cilido nga vendet e BE-së që është më i integruar pas rënies së perandorisë komuniste do të ishte vendin e BE-së nuk do të futej në BE. Kancelarja gjermane ka vendosur veton në këtë proces dhe ka thënë se nuk duhet të ndahet nga Shqipëria nga Maqedonia e Veriut dhe se “Po” është pro vendit tonë”, theksoi Rama.
Ndërkaq ai ka reaguar edhe për qëndrimet e opozitës jashtë parlamentare, duke theksuar se PD-ja ka vendosur kushte, por edhe pse përdori ironinë, e ftoi Bashën që të ulet në tryezë. “Ata që s’janë këtu dhe thonë hap krahun. Unë s’di t’i jap makinës, kjo dihet. Ti thotë këmbësori që rri tek hija e fikut makinës: hap krahun. Me çfarë dekreti hyjnor ma ke dorëzuar planin. Kush je ti, kë përfaqëson? Ti i le njerëzit në mes të rrugës”-tha Rama, duke shtuar se gjithsesi ata janë të mirëpritur për tu ulur në tryezë. Kryeministri i bëri edhe një ftesë direkte opozitës në Parlament, duke i kërkuar edhe atyre që të mos vendosin kushte, siç ishin apo fakti i largimit nga komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, të socialistit Damian Gjiknuri.

“Unë ju kam të gjithëve njësoj, juve këtu dhe ata atje, madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se janë në hall më të madh, ju nuk jeni në hall të madh, ju keni hallin e Europës. Miqtë e mi, reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE ta bëjmë urgjent. Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda nuk keni përse të mos e doni. Ju thoni sistemi, ata që janë jashtë nuk e duan se një nga gjërat që do bëjmë bashkë është heqja e komisionerëve politikë. Të bëjmë reformën zgjedhore, të presim të plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë dhe t’i themi miqve tanë gjermanë, se nuk e dimë çfarë do të shkruhet në vendim, se një vend mund të shtojë ndonjë kusht tjetër, por për sa flasim dhe atyre që u kemi borxhin më të madh në këtë proces, në kuptimin e mirë të fjalës, se nuk na kanë dhënë ndonjë dhuratë, kredi, se na kanë dhënë atë që meritojmë, për të çelur negociatat, ne këto dy kushte ja bëjmë, dhe le të përfitojmë pozitivisht nga qenie e tyre në krah me ne se kushtet e tyre janë plotësuar. Mos të rrimë të presim këtu të biem dakord për të gjithë. Të biem dakord për Europën që ju e doni shumë dhe e keni në majë të gjuhës sa herë flisni”, theksoi Rama.
Gjithashtu kryeministri u shpreh i vendosur për realizmin e reformës zgjedhore, duke i lëshuar sinjal opozitës në Parlament, se mund kryejë edhe pa opozitën parlamentare.
Kryeministri akuzon prokurorin e Durrësit
Gjatë diskutimit të tij, Rama ka përmendur edhe një prokuror të Durrësit që sipas tij po bashkëpunon me krimin e organizuar dhe bën presione. “Dua dhe duhet të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu. Dhe ato kusht janë të gjitha të lidhura me punë të cilat si u thanë si nuk u thanë do të bëhen, patjetër. Nuk diskutohet. Sa kohë ka që e them dhe ia them të gjithë atyre që thonë çfarë është ky vettingu? Pushim nga puna? Po këta kanë vënë pasuri marramendëse. Dhe ju kam thënë jo, vettingu nuk është pushim nga puna. Vettingu është pastrimi sistemit, krijimi i një sistemi ku gjykatësit dhe prokurorët janë të verifikuar si të pastër dhe pastaj ai sistem që ju kam thënë që ditën e parë do ti thërrasë këta të tjerët. Do t’i vijë radha këtyre të tjerëve. Do i thuhet hajdeni këtu. Këto vilat, e këto faturat e bixhozit në Monte Carlo me çfarë i bërë zotrote? Dhe të shikosh që ka të tjerë si një prokuror në Durrës, i cili është sot prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe ju bën shantazh nëpunësve të shtetit. Arrestojeni thonë. Mësojeni që nuk arreston kryeministri, as qeveria, arreston drejtësia”, deklaroi Rama, duke mos përmendur emrin e prokurorit të Durrësit.

Kryeministri nuk kurseu as batutat në sallë. Gjithashtu ai pati edhe replika me deputetin konservator Kujtim Gjuzi, duke e cilësuar si naltmadhni pa mbretëri, apo mbret pa mbretëri. “Gjuz ti nuk je i përgjegjshëm, ti je mbret, je më shumë. Naltmadhëni, ulu, se jemi akoma në republikë. O naltmadhni, dallimi mes meje dhe teje është se ti ke jetuar në luftën e parë botërore, mos më fut në terrenin e luftës se aty me mund. Ti vjen nga lufta e pare, flet me kompetence. Një mbreti të vetëm në parlament i lejohet të shkelë rregulloren”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




