Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Rama nga Fieri u bëri thirrje votuesve për herë të parë, që më 11 maj të votojnë PS, për Shqipërinë në BE.
Ai u tha që të ndajnë zgjedhjen e tyre edhe me miqtë dhe bashkëmoshatarët, pasi këto zgjedhje, sipas tij, janë më shumë se një vendim për Partinë Socialiste.
“Janë zgjedhje që ngjajnë me ato të vitit 1992, kur shumica e shqiptarëve votuan për ndryshimin historik. Sot, duke votuar për PS, ju do të ndani historinë e derisotme me historinë që nis pas 11 majit, dhe së bashku do ta bëjmë atë historinë e vendit tonë në Bashkimin Europian”, theksoi Rama.
Rama e mbylli fjalimin e tij me një diskutim patriotik, duke theksuar se vota e 11 majit është për profecinë e heroit kombëtar Skënderbeu, amanetin e rilindasve dhe vuajtjeve të prindërve të të rinjve në emigracion, që Shqipëria të ulet “si zonjë” në tavolinën e BE-së.
“Vota e 11 majit është më shumë se sa sot për nesër. Ka brenda edhe profecinë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka brenda amanetin e rilindasve tanë, edhe të gjitha vuajtjet,sakrificat, torturat e prindërve të gjeneratës tuaj në emigracion. Ka ëndrrat e shpresat e shqiptarëve, për ta parë Shqipërinë të barabartë mes të barabartave në Europë!”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




