Politike

Rama nga Budapesti: Putini zgjoi fort BE-në

Nga Gazeta 'SI'- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë të përbashkët me homologun e tij hungarez Viktor Orban, nga Budapesti aty ku u mbajt takimi i Komunitetit Politik Europian.

Rama nënvizoi se Shqipëria është e vendosur të luftojë çdo ditë për anëtarësimin e saj në BE dhe se ka përparuar dukshëm në këtë drejtim falë mbështetjes nga presidenca hungareze.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në bisedimet për anëtarësim dhe se beson se vendi mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade, së bashku me vendet e tjera të rajonit. “Shqipëria i përket Evropës padyshim,” tha Rama, duke shtuar se kjo rrugë ka marrë një shtysë të fortë nga presidenca hungareze, e cila ka kontribuar në përshpejtimin e procesit të integrimit.

Në lidhje me stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, Rama e theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve të rajonit. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të jetë i bashkuar me BE-në dhe të bëhet i padepërtueshëm ndaj influencave të jashtme malinje. “Derisa shumë vite më parë një bashkëbisedim me BE-në ishte i paimagjinueshëm, sot kemi arritur të bëjmë hapa të mëdhenj përpara,” shtoi ai.

Një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë përparim, sipas Ramës, është përshpejtimi i politikave evropiane për të përballuar kërcënimet e jashtme, sidomos ndikimin e Rusisë. “Një nga arsyet që ka shtuar urgjencën për këtë bashkëpunim është Vladimir Putini, i cili ka zgjuar BE-në,” tha Rama.

Kryeministri hungarez Orban në konferencën e përbashkët me Ramën foli edhe për krizën migratore në kufijtë e Europës. Ai theksoi se është i vetmi kryeministër në Europë që i ka shpëtuar valëve migratore që kur ajo nisi në vitin 2015.

"Sa i takon pjesës 2015 kur nisi kriza migratore, akti i parë i qeverisë hungareze ishte akt revolte. U përpoqëm të mbrojmë veten dhe u quajt krim i madh. Hungaria vendosi një sistem që ishte zgjidhja e vetme për migracionin. Nuk duhet të kishte vetëm një vend që të vendoste për aplikimet.

Nuk do lejojmë askënd të hyjë. Sa i takon marrëdhënieve me SHBA-në. Shumë gjëra nuk kanë ecur. Kemi përjetuar diskriminim në shumë fusha. Na duhet të gjejmë zgjidhje sa më parë. Ka plane ekonomike, me kohën do t’ju informoj cilat janë këto. Sa i takon paqes, nuk jam unë që duhet të prezantoj qëndrimet në një situatë kur nuk është arritur një marrëveshje e plotë."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë