Politike

Rama: Nëse ndërtuesit abuzojnë mbi 10% të planit, konfiskohet objekti!

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa prezantoi paketën e masave ligjore për mbrojtjen e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama njoftoi se të gjithë ata që ndërtojnë, do kenë detyrim mbjelljen e pemëve.

Por, këtë masë detyruese nuk do ta lërë në dëshirën e ndërtuesve, por secili prej tyre do të duhet të dorëzojë pemët dhe për këtë do krijohet edhe një fidanishte publike.

Rama tha se kush ndërton më shumë, do mbjellë më shumë. Ndër të tjera, kryeministri ka bërë me dije se nëse një ndërtim shkel lejen nga 2% deri në 10%, ajo shtesë e ndryshuar nga leja fillestare, do të konfiskohet nga shteti dhe do të përdoret për interes publik apo për zyra shtetërore.

Mbi 10%, e gjithë ndërtesa do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit.

“Kërkohet vendosja e kamerave në të gjitha kantieret e ndërtimit dhe ndiqet gjithë procesi në kohë reale. Masë tjetër është krijimi i fondit të gjelbër.

Subjektet ndërtuese duhet të garantojnë sasi të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen e ndërtimit dhe rregullat e posaçme do të përcaktohen me vendim të këshillit të ministrave. Është plan që e kemi përpunuar, do krijojmë fidanishtet publike në pjesë të ndryshme të territorit, subjektet do sjellin pemët.

Do ketë një katalog, do jenë parametrat e përcaktuar dhe subjektet do dorëzojnë pemët. Kush ndërton më shumë, do mbjellë më shumë pemë. Janë të gjitha masa në fuqi”, tha Rama.

Ai shtoi se me aktin e ri ligjor parashikohen marrjeje leje edhe për muret rrethuese.  

“Muret rrethuese janë një problematikë më vete, dhe akti që kemi kaluar, përcakton se muret rrethuese do të duhet t’i nënshtrohen rregullave tip, nuk mund të jetë dot Shqipëria evropiane një vend ku muret rrethuese janë tërësisht pa asnjë sensi të zhvillimit  të përbashkët urban të një lagjeje apo zone. Padiskutim që siç merret leje për ndërtimin, merret edhe për murin rrethues”, tha ai.

Gjithashtu ai theksoi rëndësinë e ndërtimeve rezidenciale që përfshijnë ambiente për fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë