Nga Gazeta ‘Si’- ‘Shqipëria është lider rajonal në politikat kundër korrupsionit!’
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në prezantimin e raportit të GRECO për luftën antikorrupsion, të cilën e konsideroi një tjetër ‘kala’ të marrë në rrugën drejt BE-së.
Ai tha se do të vijojë hapja e kapitujve të tjerë, ndërsa paralajmëroi një tjetër dallgë reformash.
“Shqipëria renditet sot si një nga 8 shtetet me progresin më substancial të dekadës së fundit. Sipas këtij indeksi, Shqipëria ka performuar më mirë me të gjithë treguesit krahasuar me të gjitha matjet e bëra më parë. Shqipëria renditet në një nga tre vendet me përmirësimin më të madhe të qeverisjes.
Jemi duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të sundimit të ligjit, antikorrupsionit, duke vazhduar ne si qeveri të bëjmë një punë të konsiderueshme, edhe më të madhe, për të vënë në dispozicion të këtij progresi edhe zhvillimet e teknologjisë”, tha ai.
Ndërkohë, Rama pati edhe disa kritika për sistemin e drejtësisë.
Duke evidentuar edhe vërejtje që janë ngritur nga institucionet ndërkombëtare, Rama tha se prokuroria dhe policia vijojnë të zhvillojnë intervista si në “epokën e gurit”, pa audio dhe video.
“Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori edhe në polici në fakt, pa audio dhe pa video. Intervistat në prokurori bëhen si në kohën e gurit. Unë të shoh, ti më sheh, unë të pyes, ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua. Kjo është vënë në pah edhe nga institucionet ndërkombëtare edhe është një nga gjërat që duhet të ndryshojë”, tha Rama.
Mandej, ai ripërsëriti se do të vazhdojë mbështetja ndaj SPAK-ut.
“Ne do ta mbështesim sistemin e drejtësisë, SPAK, GJKKO dhe institucionet e tjera dhe duke shpresuar që më në fund do të bëhet realitet edhe sistemi i menaxhimit digjital të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




