Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin e Giro d’Italia në Romë, pasi Shqipëria do të jetë vendi ku do të nisë ky event i rëndësishëm sportiv.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri batuta duke thënë se ndihet i veçantë sepse di të ngasë vetëm biçikletë, asnjë mjet tjetër transporti.
“Ndihem këtu pak i veçantë sepse mendoj se jam i vetmi në këtë sallë që vozit vetëm biçikletën. Nuk di të ec me makinë apo një mjet tjetër, jam 100% green”, tha Rama.
Ndër të tjera ai kujtoi vitet e Shqipërisë në izolim, duke thënë se sporti italian i ka ndihmuar të jenë gjithmonë të vetëdijshëm se përtej detit ka një jetë tjetër. Rama u shpreh se sporti italian ka pasur influencë të jashtëzakonshme në Shqipëri.
“Sporti italian ka një influencë të veçantë te ne, jo si sport, por një jetë tjetër. Sepse ne kemi qenë komplet të izoluar. Shqipëria ka qenë si Koreja e Veriut e Europës. Deti ishte bosh, nuk mund të lëvizte askush. E vetmja mënyrë për të parë botën tjetër, ishte radio ose televizioni.
Mbaj mend që kur ndiqnim Giro d’italia bënim tifo pa e ditur se ç’bëhej fjalë. Sporti italian na ka ndihmuar të jemi gjithmonë të vetëdijshëm se pas detit ka jetë, ka një tjetër jetë.
Të jem sot këtu, me të gjithë ju, për të festuar një moment si ky, duke e parë Shqipëri të përfshirë, duket si një fabul, sepse unë flas për gjërat që kam jetuar”, tha Rama.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri italian Antonio Tajani, u shpreh se të nisësh Giro d’italia nga Shqipëria, është si t’i thuash shqiptarëve që ne jemi gati t’ju presim në Bashkimin Europian.
‘Kemi një zyrë të posaçme në ministri që i jep jetë diplomacisë sportive që kemi menduar ta zhvillojmë më shumë. Sporti nuk është vetëm një instrument social. Giro d’italia ka vendosur të nisë nga një vend mik si Shqipëria, dhe i jep një sinjal të fortë mbështetje vendeve të ballkanit perëndimor, që ne duam të futen sa më shpejt në BE. Ka një vlerë sporti edhe si strategji politike, të politikës sonë të jashtme. Ta nisësh Giro d’italia nga Shqipëria, është si ti thuash shqiptarëve që ne jemi gati t’ju presim në BE, dhe përmes Shqipërisë gjithë ballkanit’, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.