Kryeministri Edi Rama ka realizuar sot një bisedë telefonike me kryeministrin grek Qiriakos Mistotaqis, për të diskutuar për koronavirusin dhe hapjen e kufijve.
Në nga temat qendrore të bisedës duket të ketë qënë kalimi i punëtorëve sezonalë nga Shqipëria në Greqi, pasi fermerët grekë kanë ngritur alarmin për nevojën për emigrantët nga vendi ynë.
“Sot patëm një diskutim mbi strategjinë e fazës së dytë. Më parë u informoj se pas konsultimeve me miq dhe kolegë kam pasur një bashkëbisedim me kryeministrin grek për fazën e dytë. Diskutuam mbi rezultatet e deritanishme, strategjinë e testimit, lehtësimin e masave, planin e hapjes së sezonit dhe interesin reciprok për punësimin sezonal”, njofton Rama duke theksuar se kufijtë me Greqinë priten të hapen në mes të muajit maj.
“E falenderova me gjithë zemër mikun grek për ata punonjës sezonal që mbetën matanë kufirit, por nuk u trajtuan si shkelës të afateve. Dakordësuam që të shohim problemin e lëvizjes së punonjësve sezonale sipas kalendarit të fazës së dytë dhe për nevojën reciproke që ti çelet rrugë rreth mesit të muajit maj” tha kryeministri.
Greqia i ka kërkuar Shqipërisë që të konsiderojë hapjen e kufirit për punëtorët sezonalë në bujqësi. Në këtë periudhë, përllogaritjet e Ministrisë së Agrikulturës thonë se ky sektor ka nevojë për të paktën 50 mijë punonjës.
Autoritetet greke propozojnë që të organizojnë vetë transportin e emigrantëve, marrjen përsipër të kryerjes së testeve anti-Covid19 për rastet e dyshuara dhe procedura të thjeshtuara në dogana, ku hyrja dhe leja sezonale për të punuar në bujqësi të jepet drejtpërdrejt.
Ministri grek i Agrokulturës, Makis Voridis deklaroi ditën e premte se pjesa dërrmuese e punonjësve të kualifikuar në bujqësi mbërrijnë nga Shqipëria dhe një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi kërkohet me ngut nga fermerët.
Voridis thotë se koha nuk pret dhe nëse nuk plotësohen nevojat e minimale për krah pune të fermerëve grek brenda 10 ditëve të para të muajit maj, ekonomia vendase do të humbasë miliona euro të ardhura nga eksporti i munguar i fruta-perimeve. Ministri grek zbulon se po diskutohet me palën shqiptare për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët.
“Mbyllja e kufijve me Shqipërinë është një shqetësim i madh, pasi nga Shqipëria mbërrijnë punëtorët e bujqësisë më të kualifikuar. Po punojmë për të gjetur një zgjidhje, që do të respektonte masat dhe protokollet kundër përhapjes së virusit”, tha ai.
“Kuptohet që duhet të organizojmë udhëtimin e punëtorëve. Procedura do të jetë e thjeshtë. Punëtorët mund të qëndrojnë në karantinë për 5-7 ditë, ose t’u kryejmë analizat dhe më pas ata të dalin në punë. Fermerët janë dakord dhe ne jemi duke punuar me institutin e epidemiologjisë që të sigurojmë testet për këta persona. Por, ajo që nevojitet dhe është urgjente është një marrëveshje me Shqipërinë për hapjen e kufijve në mënyrë të koordinuar dhe që të respektojë masat kundër përhapjes së koronavirusit”, deklaroi Varidis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




