Politike

Rama: Rrisim pagën minimale deri në 40 mijë lekë. Na pret dimër i vështirë

Në një takim këtë të mërkurë me operatorët turistikë në Gjirokastër, kryeministri Rama u shpreh se paga minimale do të shkojë 40 mijë lekë para fundit të këtij mandati të qeverisë.

Ai theksoi se pagat duhet të rriten sa më parë në mënyrë që të ndalen largimet nga vendi.

“Duhet t’i rrisim edhe më shumë pagat. I kemi rritur sepse ishim me një distancë të madhe nga rajoni, por sërish jemi mbrapa. Edhe juve ju them se është koha për të mos menduar më me logjikën, ‘hë se mbajnë këta’, është koha për t’i paguar më shumë punonjësit, për t’i pasur këtu, edhe për t’i kthyer këtu, pse jo.

Teksa u ndal tek zhvillimet që janë kryer në qytet duke i dhënë hov turizmit, Rama tha se situata sipas tij nuk është kaq ‘rozë’ ndikuar nga zhvillimet në rang botëror, me luftën në Ukrainë, sidomos në përballjen me rritjen e çmimit të energjisë.

Sipas Ramës, Putini ka si qëllim rrëzimin e Perëndimit nga dimri, sepse Europës i janë kufizuar burimet e energjisë, ndërsa paralajmëroi se do të jetë një dimër i vështirë.

“Qeveria ka vendosur që të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimit të energjisë. Në faturën tuaj ajo që nuk duket është ajo që paguan buxheti. Nuk do të lejojmë që kriza energjetike të shfaqet në faturën tuaj, pasi jemi kthyer në mburojë.

Tani jemi duke parë nëse do krijohet një mundësi që mos të vendoset fasha në muajin nëntor. Për t’u krijuar kjo mundësi na duhet të kemi reshje. Jam me një mërzi të brendshme bashkë me kolegët e mi sa herë nuk shohim shi. Por nga ana tjetër na duhet edhe kursim”,tha Rama.

Gjithashtu Rama u kërkoi të mos dëgjojnë opozitën, që sipas tij “akuzojnë për brutalitet ministren e Energjisë që flet për kursim”.

“Duhet kursyer dhe nuk duhen dëgjuar hienat e të djathtës së rublave që skërmiten në klubet e netëve televizioneve duke sharë e akuzuar për brutalitet ministren e Energjisë që flet për kursim. Do ta kursejmë energjinë. Nëse e kursejmë, e kemi. Nëse nuk kursejmë nuk e kemi. Duhet ta paguajmë sa frëngu pulën për ta pasur. Duhet ta eksportojmë një pjesë të saj. 75% prodhojmë neve, pjesa tjetër eksportim. Kjo krizë erdhi pa na pyetur nuk sollëm as luftën as rritjen e çmimeve, por do bëjmë çmos ta përballojmë më lehtë duke vendosur më shumë financa në dispozicion të shqiptarëve", shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë