Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i ftuar nderi nga qeveria e Bavarisë në Gjermani për të mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.
Teksa u shpreh se vlerat evropiane duhen mbrojtur edhe nëse është nevoja për t’u riarmatosur, Rama e vuri theksin edhe tek arti dhe shpirti i kontinentit duke marrë si shembull edhe Ludvigun e II Mbretin e Bavarisë që ndërtoi pallatin ku u mbajt ceremonia.
Ai tha se Evropa duhet ta rishpikë veten duke mbrojtur atë çfarë e karakterizon duke u nisur fillimisht nga siguria në rrugët e secilit shtet dhe ajo në shkolla.
“Nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet njëkohësisht të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e Evropës. Le të bëjë sonte muzika që do të dëgjojmë atë që fjalimet nuk munden. Le ta mbartë shpirtin e Evropës, atë që Ludvigu e dëgjoi kur të tjerët nuk dëgjonin asgjë. Atë që duhet ta mbrojmë jo thjesht në traktate e me ushtarë, por në rrugët tona, në shkollat e fëmijëve tanë. Le të jemi si Ludvigu, pak të çmendur më së paku, të çmendur mjaftuëshëm për të besuar në bukuri, të çmendur aq sa ta mbrojmë dhe të çmendur mjaftueshëm që ta bëjmë shpirtin e Evropës përsëri”- u shpreh Rama mes të tjerash.
Sipas Ramës, Europa nuk duhet trajtuar si një fuqi nga e cila, “duhet të përfitosh, por edhe si një realitet për të cilin duhet të kujdesesh”.
Më pas, u ndal te sfidat aktuale të Europës, në një kohë frike për copëtim dhe harrese të asaj që i mban të lidhur popujt.
“Sonte, muzika na fton të kujtojmë se Europa ka qenë dhe duhet të mbetet civilizim. Një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por stil jetese. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një mbledhje rezistence ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor, ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




