Politike

Rama në Abu Dhabi: Projekt 1 mld euro me Italinë dhe Emiratet. T’i shesim energji Europës!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Abu Dhabi ambiciet e Shqipërisë për t’u bërë një importuese e energjisë, për të gjithë Europën.

Kryeministri theksoi se ambicia e Shqipërisë është krijimi i një bashkëpunimi trepalësh mes Shqipërisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Italisë, për ndërtimin e një baze të ngarkesës energjetike në Shqipëri dhe lidhjen përmes kabllos me Italinë.

“Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Italinë, të kemi një bashkëpunim trepalësh të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri, po synojmë të mbërrijmë në tre diga përmes kabullit ndërlidhës më Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër, se bashku me miqtë tanë Arabët të bëjmë para për t’ja shitur Evropës. Është një projekt më shumë se 1 miliardë”, përfundoi Rama.

Sipas tij, me anë të këtij projekti, Tirana do i shesë Europës energji të gjelbër dhe shtoi se brenda vitit 2028, do ketë fituar pavarësinë totale energjitike, por të varur vetëm nga humori i “Allahut”.

“…do të thotë që ne varemi nga humori Allahut, kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, nuk kemi shi, kështu ne duhet t’i drejtohemi importit dhe më pas kjo bëhet e vështirë”, tha Rama gjatë fjalës.

Më tej, u pyet në lidhje me përfshirjen e Inteligjencës Artificiale, në çështje të qeverisjes.

Rama deklaroi se tashmë 95 përqind e shqiptarëve marrin shërbime online dhe se janë hequr shërbimet në zyra. Kreu i qeverisë përmendi edhe ministren Diella, duke thënë se Shqipëria tashmë ka një ministre, e cila vepron si asistente online.

“E kemi nisur këtë punë tashmë. Nuk ka më zyra në Shqipëri, nuk ka radhë dhe kohë të humbur, e merr shërbimin online, kudo që ti je. Ne po e përdorim AI-në edhe që ligjet tona, të jenë në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian. Për të gjitha vendet, kjo ka qenë një punë tepër e madhe, ndërsa ne me Inteligjencë Artificiale, e bëjmë shumë shpejt dhe saktë. Ne kemi edhe një ministre të Inteligjencës Artificiale, është asistente virtuale”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë