Nga Gazeta ‘Si’- Kur na ndajnë 24 orë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama ka shprehur bindjen se Partia Socialiste do të dalë fituese me më shumë se 77 mandate.
Duke vendosur në pikëpyetje votën e shqiptarëve për rivalin e tij Sali Berisha, të cilin e cilësoi si të roitur, Rama riktheu në vëmendje “Memorandumin e Kuçit”, duke thënë se rezultatin do ta shpallë atje siç bëri në 2021.
Gjithashtu ai njoftoi se homologu i tij britanik, Keir Starmer do të vijë për një vizitë zyrtare në Tiranë, para samitit të Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në vendin tonë më 16 maj. Mandej tha se për herë të dytë në Shqipëri do kthehet në një vizitë zyrtare edhe presidenti francez Emmanuel Macron.
“Përpara Samitit Europian Politik do të vijë kryeministri britanik. Vetëm njëherë ka ardhur një kryeministër britanik, edhe atëherë ka shkuar në Kukës për arsye humanitare. Ka pasur shumë të tjerë që kanë ardhur për herë të parë. Pse? Ngaqë ky vend është narko-shtet? Mos votofshi kurrë për mua, por si mund të hani këto idiotësira? Si mund të shkoni pas një të roituri që i fiket llamba tre ditë për shkak të moshës.
Nuk e di rezultatin, ndoshta fitojmë më shumë edhe se 77 deputetë, do të shikohet. Rezultatin do ta shkruaj në Kuç, atje te ai lokali, në majën e lartë, siç bëra në vitin 2021”, tha Rama në rubrikën “Sy m’Sy”.
Kujtojmë se në një lokal të fshati Kuç, në Labëri, Rama gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, shkroi në një mbulesë tavoline se PS përballë PD së Lulzim Bashës do të merrte 74 deri në 78 deputetë.

Rama e lexoi para banorëve atë që shkroi duke shpallur Damian Gjiknurin si “noterin” e asaj deklarate të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.