Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në nder të figurës së ish-kryeministrit Fatos Nano.
Gjatë homazheve, Rama theksoi se sot ai është një figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë, duke thumbuar kundërshtarët e tij politikë që dikur e akuzonin për vjedhje.
Kryeministri shprehu më tej se ka të vështirë t’i japë lamtumirën dikujt që e konsideron mik.
Pjesë nga fjala e Ramës:
I thonë një fjale: vdis pa të të dua. Sa do të doja të uleshim sot në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, e t’i kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve dhe personazheve të ndryshme, tërë ç’u tha për ty qëkurse doli lajmi që ike përgjithnjë. Po sa të dashkan mor burrë i dheut. Edhe ata që nuk lanë rrota në kurriz pa të vënë. More deri te ata që kallën në burg duke të akuzuar si vjedhës dhe që deshën të të vrasin në zyrë dhe që të thanë në fytyrë tër të zezat e gjuhës shqipe. Veç ta shihje si i kanë qendisur kaq bukur fjalët.
Plasja më vjen që s’jemi sot në një darkë. Mua më duhet të rendis fjalët e një lamturire, të cilën nuk e imagjinova dot as pasi miku im Solis më shkroi se kishe hyre në koma. Mendova Xhoin që do vazhdonte të rrinte te koka edhe për sa vjet të tjerë që do të rrinte besnike e gjumit tënd. Nuk të mendoja ty të shtrirë në një arkmort. Ja që erdhi për mua kjo ditë zie dhe më ra puna e vështirë që t’i jap lamtumirën një paraardhësi, të parit kryeyar të familjes sonë.
Edhe Xhoana Nano, bashkëshortja e Fatos Nanos, mbajti fjalim në homazhe.
Ajo e përshkroi këtë si ditën më të trishtuar të jetës, duke u rikthyer pas në kohë në periudhën kur u dashurua me Nanon.
Xhoana Nano renditi cilësi të ish-kryeministrit dhe shtoi se ai nuk u bë kurrë pis nga balta e politikës.

Pjesë nga fjala e Xhoana Nanos:
Të dashur miq e dashamirës, i nderuar zoti kryeministër, kjo është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës. Po ndahem me njeriun që kalova një cerek shekulli jetë dhe që më lidhën shumë ëndrra, shpresa e zhgënjime të përbashkëta. Është një nga ato ditë që s’do doja ta kaloja. E njëjta ditë është dhe për fëmijët tanë. Këtu e një çerek shekulli më parë, rashë në dashuri me Fatosin, isha shumë e re atëherë nuk e kuptoja pse. Kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person, por dhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po kalonim.
Nuk e pata menduar me kaq qartësi atëherë. Me kalimin e kohës, ditë pas dite, pata fatin të zbuloja te Fatosi vlera e cilësi. E ndjej për detyrë publike e morale që disa cilësi të tijat, me mirënjohje të thellë e them, që i njohim të gjithë, por ja vlen të përmblidhen. Sepse Fatosi ishte i vërtetë, ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin. Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë.
Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



