Mjedis

Rama-Meta dhe Vjosa “elektorale”. Ekspertët: Lumin po e copëtojnë hilet e njerëzve që punojnë nëpër ministri

Lumi Vjosa ngjan se po kthehet në një kal beteje në fushatën e saponisur elektorale (jo zyrtarisht) të zgjedhjeve parlamentare të 2021.

Pas sagës gati 20-vjeçare të dëshirës marramendëse të qeverive për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Kalivaç, ku gjyqi i fundit në Arbitrazh do t'u linte një trashëgimi borxhesh shqiptarëve prej 110 mln eurosh, kryeministri Edi Rama zotohet se nuk do të ndërtohen HEC-e në Vjosë.

Dy ditë më parë, teksa Presidenti i Republikës Ilir Meta, tashmë në krah të mbrojtjes të Lumit Vjosa, do të merrte pjesë në përurimin e Qendrës Kërkimore Vjosa në Tepelenë, kryeministri Rama do të shkruante pas Metës në llogarinë e tij në Twitter: “Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”

Ai do të shtonte se është dakord me Presidentin Meta “se e ardhmja nuk është shkatërrimi” duke theksuar se Meta mund të kishte mbrojtur Valbonën kur ishte zëvendëskryeministër.

Por deklarata e kreut të qeverisë, duke marrë parasysh edhe kontekstin kohor kur shkruhet, pra në një vit elektoral, ngriti jo pak dyshime ndër shkencëtarë dhe pjesëmarrës në takimin për Vjosën në Tepelenë. Ata e komentojnë si tejet lakonik premtimin e Ramës dhe aspak të qartë.

Sepse, sipas ekspertëve, mes tyre edhe profesor Aleko Miho dhe profesori austriak Fritz Schiemer, Kalivaçi dhe Poçemi ndodhen në Vjosën e mesme, as në të lartmen e as në të poshtmen, pjesë gjeografike të cilave u është drejtuar premtimi i kryeministrit.

Profesor Miho dhe të tjerët kërkojnë që Kryeministri Rama ta sqarojë më tej deklaratën e tij.

Olsi Nika

“Do të isha shumë i lumtur të besoja se kryeministri ka gjithmonë më shumë informacion se ne. Përderisa ai e ka thënë, ka dy mundësi; ose ka më shumë informacion dhe në Vjosë nuk do të bëhen hidrocentrale ose janë retorika boshe të fushatës elektorale politike. Këtë nuk di ta them. Nëse do të ketë një hap tjetër pas këtij reagimi, i cili do të provonte seriozitetin e deklaratave të kryeministrit, do të ishte ccelja e një dialogu. Duket sikur po vërtitemi kot. Kur shkencëtarët, organizatat, presidenti, tani edhe kryeministri mbështet presidentin për Vjosën Park Kombëtar, kush po e bën këtë luftë për ndërtim hidrocentralesh? Pastaj rezulton një retorikë boshe. Hapi i dytë do të ishte të thërriste palët në dialog për të bërë luftën e argumenteve, për të marrë vendime që Shqipëria të shkojë drejt zhvillimit të qëndrueshëm”, argumenton për Gazetën “Si” Olsi Nika, drejtor i "Eco Albania", organizatë e cila që në krye të herës është çelur me misionin për të mbrojtur Vjosën.

Odisea e mbrojtjes së Vjosës nis që më 2014-n, siç e shpjegon profesor Aleko Miho, pas një studimi mbi Alpet Dinarike ku identifikohej gjendja natyrore e lumenjve të Ballkanit Perëndimor dhe ku do të shihej që Vjosa është një lum i madh i paprekur.

Aleks Miho

“Shumë lumenj të tjerë janë të prekur nga digat, por Vjosa është i vetmi lum në Europë që është në gjendje natyrore që nga burimi deri në det 800 km dhe si i tillë në këtë valë të madh të ndërtimit të HEC-eve kërkohej të mos prekej. Për këtë çështje kanë lobuar një sërë organizatash dhe ekpertësh të huaj; FAO, EuroNature, Riverwatch, KE, të cilat në raportet e tyre kanë kërkuar ruajtjen e lumit Vjosë për vlerat natyrore të biodiversitetit, florës, faunës. Të dhënat kanë argumentuar se i plotëson kriteret për të pasur statusin "Park Kombëtar, zonë e mbrojtur". Të gjitha këto çojnë në përpjekje në angazhimin drejt vendimmarrjes duke kërkuar moratorium trevjeçar për të vijuar studimet. Që atëherë në kemi bërë ekspedita dhe studime në bashkëpunim me profesorë dhe kërkues të huaj”, shpjegon profesor Aleko Miho.  

Por, vjet në tetor, thotë ai, “teksa ne zhvillonim një simpozium, qeveria shpall tenderin për digën e Kalivaçit. Ajo e Poçemit është në gjyq për pakujdesi në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ne e kuptojmë nevojën për energji të vendit, por duhet marrë parasysh zhvillimi i qëndrueshëm që do të thotë të ruajmë sa mundemi.”

Qendra Kërkimore Vjosa

Çështja e ruajtjes së lumit Vjosa nga ndërtimi i mundshëm i hidrocentraleve në të dhe shpallja e tij si "Park Kombëtar, Zonë e Mbrojtur" do të angazhonte dhe do të kishte në krah Presidentin e Republikës Ilir Meta që në muajin shkurt, kur mbi 700 shkencëtarë nga vendi dhe bota të përfshirë në këtë çështje do t'i dërgonin atij një peticion të firmosur.

Presidenti Meta do ta mbante premtimin duke thirrur një konferencë ndërkombëtare për të diskutuar çështjen ditën e enjte, 24 shtator, ku ekspertë, profesorë të fushave të ndryshme të shkencave të natyrës, ekonomisë etj, debatuan dhe ofruan argumente shterruese për mbrojtjen e lumit Vjosa.

“Vjosa është pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare, por njëkohësisht është i rrezikuar nga planet për ndërtimin e Hidrocentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit. Lumi i fundit i egër në Europë që rrjedh pa ndërprerje në gjithë gjatësinë e tij. Edhe pse në kohë të vështira siç është pandemia, jemi mbledhur për të diskutuar këtë çështje të rëndësishme që është fati i Luginës së Vjosës përpara lëshimit të deklaratës mjedisore nga Ministria e Mjedisit për HEC-in e Kalivaçit. Shpresoj që qeveria të marrë në konsideratë si peticionin e nënshkruar nga 776 shkencëtarë nga e gjithë bota në mbrojtje të lumit Vjosa, ashtu edhe konkluzionet e tryezës që do të dërgohen pranë institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me çështjen. Mbetem në krah të mbrojtjes së Vjosës”, do të thoshte Presidenti Meta, ditën e premte, gjatë përurimit të Qendrës Kërkimore Vjosa në Tepelenë që do të mbajë emrin e profesorit autsriak Fritz Schiemer, i cili ka ardhur për herë të parë në Shqipëri më 2000 përmes një programi shkëmbimi universitar nga qeveria austriake e mandej nuk ka rreshtur së dhëni kontributin e tij kryesisht për çështjen e lumit Vjosë.

Fritz Schiemer

“Për Vjosën kam lobuar në 2015-2016 në një konferencë të dedikuar. E njihja lumin Vjosa dhe çështjen më parë dhe vlerat që ka. Ne i kërkuam moratorium qeverisë për të bërë kërkime. Mandej nisëm kërkimet, 15 shkencëtarë nga Gjermania dhe Austria. Nga analiza që bëmë shkruajtëm një libër. Rezultati është që Vjosa është një lum me vlera të rralla të vetme në gjithë Europën. Nëse ndërton një HEC në Kalivaç dhe Poçem shkatërron të gjithë ekosistemin, kuptimin që ka Vjosa, por edhe në aspektin ekonomik nuk do të ketë zhvillim të qëndrueshëm”, thotë profesor Schiemer, i emocionuar dhe surprizuar që qendra kërkimore do të mbajë emrin e tij.

Edhe Bashkia e Tepelenës vazhdon të konfirmojë mbështetjen për ruajtjen e Vjosës dhe kundërshtinë për ndërtimin e hidrocentarleve në të.

Qendra Kërkimore Vjosa është ide e mbrujtur 1 vit e gjysmë më parë.

“Universetet e vendeve të tjera kanë qendra kërkimore në habitatet për hulumtimet e tyre. Universiteti i Shkencave të Natyrës në Tiranë që bën kërkime të tilla nuk ka një të ngjashme përveçse Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës në Tiranë, pjesë e së cilës është Kopshti Botanik dhe Muzeu i Shkencave të Natyrës. Por ndërkohë duke qenë një vend me larmi të madhe habitatesh dhe ekosistemesh, duhet të kishte edhe një qendër kërkimore detare, alpine dhe lumore. Por për shkak të filozofisë se si është ndryshuar që nga viti 2000 kur qendrat kërkimore nga Akademia e Shkencave iu kaluan universiteteve, kur kërkimi shkencor në Shqipëri është në shifra shumë të ulta edhe krahasimisht me vitet para '90, u mendua të ngrihej kjo qendër. Vjen edhe për një arsye tjetër; shumë kërkues shkencorë të Universitetit të Tiranës janë angazhuar në kërkime në Vjosë. Kanë sjellë rezultate, kanë organizuar konferenca, workshope etj, Nga puna e terrenit është menduar të bëhej një qendër pranë lumit sepse Vjosa ka ende për të thënë në termat e biodiversitetit. Edhe për të dhënë një mesazh që ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë. Për t'i dhënë një mesazh edhe vendimmarrësve të cilët me sa duket kanë plane të tjera për Vjosën që janë plane për ndërtimn e HEC-eve”, shpjegon Olsi Nika, i "Eco Albania".

Qendra u iniciua me kontributin e tre universiteteve; të atij të Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe dy universiteteve në Vjenë, Austri.

Vjosa Park Kombëtar

Nika e sheh të vështirë shpalljen e Vjosës "Park Kombëtar, Zonë e Mbrojtur" pa pasur vullnet politik.

“Shpallja e Vjosës ose jo "Park Kombëtar" është thjesht dhe vetëm vullnet politik që do të shërbejë si gur themeli për veprimet e mëpastajme. Nëse nuk ka një vullnet politik, përpjekjet do të vazhdojnë sepse është çështje interesash; ne kemi interes të mbrojmë natyrën, dikush ka interes të gjenerojë para, dikush të gjenerojë sa për të mbajtur frymën. Dikush ka interes të mbledhë vota për të qëndruar në pushtet. Çdo gjë është mëse e kuptueshme. Por është vullnet politik, pra vendimmarrësit duhet të thërrasin një dialog për të arritur në një vendim që do të kënaqë nga pak të gjithë. Dhe studiuesit thonë se kthimi i Vjosës Park Kombëtar është alternativa që do t'i kënaqë të gjithë sepse është fare e thjeshtë që ajo kompani që do të ndërtojë hidrocentral, mund të ndërtojë të tjera njësi shërbimi në ekoturizëm, mund të investojë në atë drejtim dhe të gjenerojë të njëjtat para. Nuk jemi kundër investimeve”, shpjegon Nika.

Ai tregon se beteja ka mbetur pikërisht tek vullneti politik. Nuk ka pasur asnjëherë një vullnet politik, thotë ai, ka pasur lobingje dhe presione, premtime dhe retorika boshe, por jo vullnet politik sepse po të kishte, do kishte pasur dialog. Dhe me dialog gjendet rrugëzgjidhja.

“Kalivaçi është patatja e nxehtë. Nuk ka dy projekte, një është. Ndahet në dy diga; njëri është rezervuari, tjetri gjeneruesi. Ndarja që i bëjnë, jo vetëm Vjosës, por edhe lumenjve të vegjël që i ndajnë nëpër kaskada, është jo e leverdisshme sepse ka shumë kompani në konflikt me njëra-tjetrën për kuotat e përfituara. Por mbi të gjitha është hile e njerëzve që punojnë nëpër ministri, për të ndarë ndikimin në mjedis në porcione të vogla. T'i ndajmë në dy projekte të ndryshme, por t'ia japim të njëjtës kompani! Nuk ka kuptim. Janë 38 në Vjosën tonë ose 45 në të gjithë Vjosën. Pak janë ndërtuar, në rrjedhën e sipërme, Langaricë, janë 3 që operojnë, një në Çarshovë dhe Leskovik e një ekzistues në Shushicë. Planet janë për t'u copëzuar, 800 km lumë si rrjet hidrografik. Kjo e bën unik. Është lum i gjallë, prandaj ne do të luftojmë deri në fund”, shprehet Nika.

Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht kundërshtinë e tij për ndërtimin e hidrocentraleve. Në Raportin e Progresit 2014, Komisioni Europian i kërkoi qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë, pasi ato do të dëmtonin një prej ekosistemeve të fundit të paprekur dhe natyrorë të mbetur në Europë.

Parlamenti Europian (PE) i kërkoi qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare.

PE-ja miratoi në prill të 2016, një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën flitet ndër të tjera dhe për shkatërrimin e parqeve kombëtare nga hidrocentralet.

Në mbrojtje të Vjosës do të pozicionohej edhe e aktori Leonardo DiCaprio i cili i bëri thirrje qeverisë shqiptare të tërhiqej nga ky projekt.

Por, pavarësisht kundërshtimit të qytetarëve dhe Këshillit të Europës për të mos ndërtuar hidrocentrale në Vjosë, Kryeministri Rama nuk u tërhoq nga ndërtimi i tyre. Në prill 2017 u shpallën fitues të tenderit për hidrocentralin e Poçemit dy kompani turke pa përvojë në fushën e energjisë dhe me kapacitete modeste.

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit natyrorë në Europë. Përgjatë gjithë rrjedhës së tij prej mbi 270 kilometrash, lumi është i paprekur dhe rrjedh i lirë, me larmi tiparesh hidro-morfologjike. Sëbashku me degët e saj, Vjosa përbën një ekosistem dinamik, natyror, të rrallë për Europën. Lugina e Vjosës shtrihet në Jug të vendit në një lartësi mesatare prej 855 metrash mbi nivelin e detit. Me ndarjen e re territoriale të vitit 2014 lugina e Vjosës shtrihet në qarqet Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Berat. Pjesa më e madhe në luginën e Vjosës është rurale. Mbi 70% e popullsisë është vendosur në rrjedhën e poshtme.

Lumi ka disa fytyra dhe kjo e bën të veçantë. Ka pjesën e ngushtë, të pyllëzuar, me shpate të pjerrët, me lumenj që mblidhen dhe derdhen në Vjosë. Ka pjesën e mesme ku i gjithë shtrati me natyrën konglomerate përbën një kanal natyror, me guva, me shpella dhe pjesën e gjerë që është e kërcënuar nga dy digat. Në pjesën tjetër lumi nis gjarpërimet derisa derdhet në det.

Lugina e Vjosës zë 16% të territorit të vendit dhe sipas studiuesve bart vlera të larta të biodiversitetit. 177 specie jetojnë në lumin Vjosa që sipas ambientalistëve me ndërtimin e HEC-eve do të zhdukeshin.

Përgjatë luginës janë shpallur 10 zona të mbrojtura dhe afro 130 monumente natyre.

Sipas shoqatës ambientaliste "Eco Albania", ndërtimi i HEC-eve është kërcënimi aktual më i madh në këtë zonë. Në total rreth 42 HEC-e janë parashikuar në ujëmbledhësin e Vjosës. Ndërtimi i digave, thotë shoqata, është ndërhyrja më shkatërruese që mund të rezultojë me pasoja të pakthyeshme në mjedis duke dëmtuar në mënyrë përfundimtare integritetin natyror të këtij ekosistemi unik. Sipas ambjentalistëve, HEC-et pengojnë rrugët e migrimit të peshqve, transportin e sendimenteve dhe përbëjnë një nga faktorët kryesorë të ndryshimeve mikroklimaterike.

Zona e luginës së Vjosës është një atraksion turistik pikërisht sepse është në gjendje natyrore. Kjo është arsyeja që turistët e shumtë vijnë në këtë zonë. Ata bëjnë rafting, vizitojnë lumin Langaricë me zonën e vet që është shpallur park kombëtar.

Mbi Langaricë janë fshatrat Frashër dhe Dangëlli, fshatra tipikë gjysmë malor të cilët mund të zhvillohen për turizëm. Ndërkaq tarracat erozive të Bënçës janë gjeomonument. Një pikë tjetër turistike mes të shumtave është Nivica e cila prej dy vitesh është gjallëruar dhe ku turistët thonë se i tërheq autenticiteti, natyra e virgjër, kanionet, lumi i paprekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë