Protesta para Kuvendit e banorëve që preken nga projekti i godinave shumëkatëshe në zonën e “5 majit” dhe Unazës së Madhe në Laprakë ishte një “deja vu” për Kryeministrin Edi Rama, që gjatë diskutimeve të buxhetit 2022 në fund të vitit të kaluar hyri mes fermerëve protestues që kundërshtonin ndryshimet në skemën e subvencionimit të TVSH-së.
LEXO EDHE:
- "Xhaxhi Edi mos na i prish shtëpitë…" Banorët e disa zonave të Tiranës protestë para kryeministrisë për banesat
- A është pjesë e një plani të dyshimtë shembja e shtëpive tek 5 Maji?!
- Dëgjesa te ligjet, banorët e 5 Majit: Shtëpitë na u prishën me një njoftim. Bashkia nuk na premton asgjë
Edhe këtë herë, kreu i Qeverisë u shkëput nga rruga e zakonshme dhe hyri mes protestuesve duke u shprehur i gatshëm që t’i dëgjojë. Ai kërkoi prej tyre një përfaqësi me tre banorë. Mes tyre mori edhe Liza Markun, protestuesen e moshuar që më herët është dëgjuar edhe në Komisionin e Ligjeve.
Rama u kërkoi protestuesve se çfarë dokumentacioni kishin për banesat e tyre. Banorët thanë se i kanë në proces legalizimi që prej vitit 2006.
Në përfundim të takimit, Edi Rama tha se marrëveshja që shteti u ka ofruar banorëve që preken nga këto projekte është e drejtë.
“Askush nuk do të nxirret në rrugë. Shtëpia pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi njësoj si ata që mbetën pa shtëpi nga tërmeti. Deri në ditën e marrjes së shtëpisë paguhet nga shteti një bonus qiraje për të gjithë ata deri kur të hyjnë në shtëpitë e reja”, tha Rama.
Kryeministri tha se pjesa më e madhe e banorëve i kanë firmosur kontratat e ofruara nga shteti dhe ftoi pjesën e mbetur që të bëjnë të njëjtën gjë.
“Këto janë fjalë, ato që lexova janë letra të pafirmosura. Do të ulen banorët, do të shikojnë letrat dhe t’i firmosin. Këto marrëveshje depozitohen në Kadastër, nuk janë thjesht fjalë. Janë dokumente”, u shpreh ai.
Një ditë më parë, banorët i priti në Presidencë Ilir Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.