Kryeministri Edi Rama është përfshirë në përplasjen mes Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit për çështjen e heqjes apo jo të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka marrë në mbrojtje Albin Kurtin duke sulmuar Ramush Haradinajn dhe thotë se taksa e vendosur nga Haradinaj shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”, shkruan Rama.
Rama hedh poshtë edhe pretendimin tjetër të Ramush Haradinajt se taksa do të detyrojë Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai e quan idiotësi.
“Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës,se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!”, vijon Rama.
Kryeministri i Shqipërisë mbetet i bindur se Albin Kurti është në rrugën e duhur, pavarësisht se siç thotë do t’i duhet të përballet me etiketimet si tradhtar.
Albin Kurti është në rrugën e duhur!Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës”, mbyll reagimin e tij Kryeministri Rama.
Kundërpërgjigjia e Ramush Haradinajt nuk vonoi. Ai thotë se Rama nuk ja fal dot faktin që i prishi planin serbomadh, ndërsa pas kthimit nga Moska e akuzon se po nxiton që të zbatojë këshillat e Lavrovit.
“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit”, shkruan Haradinaj.
Më tej, ish-Kryeministri i Kosovës jep një këshillë për Albin Kurtin.
“Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, mbyll reagimin e tij Haradinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.