Nga Gazeta Si- Nga Berati ku zhvilloi një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit, start up-eve, kryeministri Edi Rama propozoi ngritjen e një Këshilli ose Forumi ku të mblidhen 3 herë në vit për të diskutuar.
“Ja vlen të kemi një Këshill, një forum, ku të mblidhemi të paktën 3 herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat, qoftë për mirë qoftë për keq, të katërmujorit të mëparshëm, natyrisht nëse ju jeni dakord”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se duhet të adresohen problematikat e botës së re të teknologjisë dhe të krijohet një urë komunikimi me komunitetin teknologjik, duke shtuar që edhe shteti të bëhet partner.
“Jam i bindur që nëse krijojmë një sinergji duke u përpjekur, duke vënë në dispozicion mjetet që kemi, patjetër që mund të krijojmë edhe më shumë hapësirë, brumë për të pjekur në këtë furrë të re”, tha Rama, duke shtuar se i ka kërkuar ministres për Sipërmarrjen që të organizojë shpesh takime dhe trajnime me to.
“Ne kemi filluar të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtpërdrejtë me ju”, theksoi Rama.
Në fokus të diskutimit ishte edhe siguria kibernetike. Ndërsa tha se tashmë Shqipëria është e pavarur në sektorin e shërbimeve digjitale, Rama theksoi nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit në sektorin privat.
“Kemi cloudin tonë në shërbimet tona digjitale, jemi të pavarur. Por jam i vetëdijshëm sa boshllëqe kemi, sidomos në sektorin privat ku ka mangësi të mëdha informuese dhe vetëdijes se çfarë mund të vijë nga ekspozimi ndaj sulmeve kibernetike. Po forcojmë mbrojtjen tonë në sektorin publik, jemi të shqetësuar që sektorin provat nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Mund të jemi një ofertë për sektorin provat duke parasysh parasysh talentet që keni arritur të mblidhni”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




