Nga Gazeta ‘SI’ –Qeveria ka ndaluar në Fier, për të takuar pensionistët e zonës lidhur me ndryshimet në skemën e pensioneve.
Shoqëruar nga zv.kryeministrja dhe ministri i Ekonomisë, kryeministri Edi Rama tha se pensioni nuk mund të përdoret si mjet politik pasi hap një gropë më të madhe se piramidat, madje mund të falimentojë shtetin.
“Është koha për të bërë një tjetër përpjekje të fuqishme nga ana jonë sepse jemi në kushtet kur rritja ekonomike na ka dhënë mundësinë për të diskutuar se çfarë do të bëjmë. Nëse ne nuk e kemi në qendër të vëmendjes pensionistin, nuk meritojmë emrin që mbajmë, Partia Socialiste. Nuk është diçka që mund ta bësh nga dëshira, apo interesi politik, e nëse e bën hap një gropë në hapat e mëtejshme, edhe më e rrezikshme se gropat që hapën piramidat. Falimenton shteti komplet”, tha kreu i qeverisë.
Ndër të tjera, Rama tha se problemi i pensioneve është i trashëguar nga mosdeklarimi i sigurimeve shoqërore prej vitesh, duke theksuar se kush s’deklaron pagën, vjedh nga pensionistët.
Sipas tij përmes kontributeve shoqërore, paguhen pensionet për të moshuarit dhe për të shmangur mosdeklarimin e tyre, qeveria do të ndërhyjë.
“Kemi një problem serioz, shmangien e detyrimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe këtu është koha për një tjetër përpjekje të fuqishme nga ana jonë. Taksat nuk janë për të paguar pensionet, por janë për të gjitha ato që i duhen shtetit, për shkolla, çerdhe, sigurimet shoqërore janë për pensionistët.
Dhe kush i shmanget i heq të drejtën pensionistëve që të marrë një pension më të mirë. Do ndërhyjmë shumë fort kundër kësaj vjedhjeje.
Me gjithë respektin, kjo është grabitje dhe ne do i qepemi mbrapa të gjitha kompanive për të marrë kontributet për pensionistët njësoj siç iu qepëm, atyre që nuk paguanin energjinë elektrike.
Ne kemi trashëguar një situatë të vështirë sepse ka pasur dhe ka shmangie të sigurimeve shoqërore. Shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit. Ata kanë paguar atje sigurime shoqërore, por jo këtu dhe kjo ka qenë një trashëgimi. Në gjetëm vetëm një marrëveshje kur morëm detyrën, në Turqi. Sot që flasim kemi lidhur marrëveshje me mbi 20 shtete ku marrëveshja më e vështirë ishte ajo me Italinë. Pjesa e fundit dhe kjo e vështirë, lidhja e marrëveshjes me Greqinë. Jemi në diskutime me palën greke por do të kërkojë kohën e vet sepse ka një peshë të caktuar financiare. Kjo shpërblen punën dhe djersën e një numri të madh shqiptarësh”-u shpreh kryeministri Rama.
Nga takimi, ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe tha se fokusi i qeverisë janë pagat, pasi ndikojnë direkt në rritjen e kontributeve.
“Fokusi kryesor i joni janë pagat, i gjithë themeli i asaj që ndikon dhe efekton pensionet janë kontributet, paga reale, paga sa më e lartë. Ky është fokusi ynë, çon direkt në rritjen e kontributeve. Do të ishte përpjekja jonë më e madhe dhe më e suksesshme në raport me skemën e pensioneve për të ulur deficitin. Kjo që të rrisim mundësinë nga ana e buxhetit të shtetit që të ndërhyjmë si përmes rritjes së të ardhurave, uljes së deficitit, për të krijuar një mundësi më të madhe për të ndërhyrë direkt në rritjen e pensioneve gradualisht në vitet që vijnë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.