Politike

Rama me grosistët e naftës: Shteti do të futet në treg. S’ka rishpërndarje fitimi!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me grosistët e naftës, ku vlerësoi qëndrimin  e tyre, duke mbajtur në nivele të menaxhueshme çmimin e karburanteve.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se po shqyrtohet plani për ndërhyrjen e shtetit në tregun e karburanteve, që do të lehtësojë barrën për familjet dhe bizneset.

“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Nuk di të thotë askush se si do të shkojë çmimi në bursë, nëse do ketë rritje, stabilizim, por është e sigurt që ne mund të bëjmë atë që neve na takon. Duke nisur nga rezerva, konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme, në kontrata figuron e garantuar për rreth 100 ditë, megjithatë mbetet për tu monitoruar ditë pas dite situata. Nga ana tjetër në kemi në konsultim ligjin për rezervën shtetërore. Ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg, si distributor shumice, një faktor shtetëror, besoj do ta bëjmë më të lehtë për ju të gjithë punën, pasi do garantojë sasinë e nevojshme duke pasur mbështetjen shtetërore, dhe do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon përmes broker, ne do të synojmë të kemi marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë”, tha kryeministri.

Më tej, Rama shtoi se qeveria nuk do të rikthejë Bordin, të paktën në rrethanat momentale.

Kryeministri i ktheu përgjigje edhe kërkesës së sotme të Konfindustrisë, për të adresuar rritjen e çmimeve të karburanteve.

“Më ka tërhequr vëmendjen kërkesa që e gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet, që TVSH mbi çmimin e rritur të karburantit të rikthehet drejtpërdrejt. Dua të rikujtoj që ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë, sa herë që të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë nga të ardhurat e rritura si pasojë e situatave të kësaj natyre dhe kjo kategori është ajo e pensionistëve. Askush tjetër s’mund të kërkojë nga buxheti i shtetit më shumë se sa i takon, pavarësisht situatave.”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur dhe krijimin e një kompanie të re publike, “Alb Trais”, e cila do të mundësojë gjurmimin teknologjik të të gjitha sasive të naftës që hyjnë në vend.

“Prej disa kohësh kemi krijuar një kompani të re publike në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, që quhet ‘Alb Trais’, kompani publike që do bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji. Së shpejti do hyjë në treg me gjurmimin, dhe ndjekjen e naftës që do të thotë gjurmimi i gjithë sasive të naftës që hyn në tregun shqiptar do garantohet me një teknologji të fjalës së fundit.

Sepse nga të gjitha analizat e bëra rezultoi që ai ngjyruesi që përdorej për naftë ishte nganjëherë më kollaj për t’u kthyer në ujë sesa bojërat që unë përdor për zhgarravinat e mia. Pra ky produkt i ri është i pakapshëm nga një sy tjetër, veçse nga syri magjik i prodhuesit, ndërsa ndjekja do të thotë që do mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë tranzit dhe do e ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj që kur kalojnë kufirin nga mbrapa doganierë. Ndjekja do bëhet me teknologji që nuk e sheh dot asnjë sy”, tha kryeministri Rama.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, po ashtu pjesë e takimit, theksoi se çmimet e hidrokarbureve në Shqipëri kanë pasur rritje më të ulët se në tregjet ndërkombëtare.

Ajo shtoi se as në çmimet e shportës së ushqimeve nuk janë vërejtuar abuzime.

“Çmimi i bursës së karburanteve ka pasur luhatje të vazhdueshme, rreth 40%, ndërkohë që çmimet në Shqipëri nuk kanë patur një luhatje të madhe 10-15%. Ne jemi ulur dhe kemi diskutuar, po analizojmë situatën e çmimeve në tërësi. Gjykojmë se nuk jemi ende në kushtet për të ringritur Bordin ndonëse hapësira ligjore ekziston. Nëse ka luhatje në marzhet e fitimit, do të futemi në atë regjim pasi qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit. Nga ana tjetër jemi duke monitoruar çmimet e ushqimeve. Jemi duke i monitoruar në disa pika tregtimi dhe deri tani nuk ka pasur asnjë luhatje abuzive. Kohët e fundit kemi dëgjuar propozime të shoqatave dhe përfaqësimeve të ndryshme të bizneseve me çmimet e karburanteve lidhur me taksat, ne kemi analizuar nëse do të ishte me vend që ne të dilnin me një ndryshim të taksës. Arsyeja kryesore pse ne kemi vendosur që këtë taksë ta aplikojmë për litër, është që ai që konsumon më shumë të naftës, të paguajë më shumë. Këtë besojmë që është një politike e drejtë, pasi në kushtet ku ka një rritje të çmimeve, individët mund të zgjedhin që të konsumojnë më pak. Është një politikë më e drejtë. Po analizojmë edhe peshën që karburantet kanë në kostot e konsumit, deri në këtë moment analizat na çojnë që të mos kemi ndryshime”, tha Ibrahimaj.

Qeveria shqiptare ngriti një Task Forcë pak ditë më parë, për të monitoruar çmimet e karburanteve. Paralelisht, qeveritë europiane kanë marrë masa konkrete, për të mos rënduar konsumatorët dhe bizneset e tyre. Spanja po ofron asistencë direkte për familjet dhe bizneset më të prekura, ndërsa Franca ka ulur taksat mbi karburantet për qytetarët. Gjermania ka zgjedhur një përzierje të uljes së taksave dhe subvencioneve për transportin publik. Italia ka vendosur ulje të TVSH-së për karburantet dhe paketa mbështetëse për bizneset e vogla. Jashtë Europës, Kina ka ulur taksat doganore për importin e naftës dhe ka stabilizuar çmimet në treg me anë të rezervave shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë