Politike

Rama me grosistët e naftës: Çmim unik për karburantet! Në shtëpi do të shkoni pa fitime

Kryeministri Edi Rama u kërkoi grosistëve të naftës që të sakrifikojnë fitimin e tyre në këtë periudhë, që e cilësoi të pazakontë dhe lufte. Nëse tregtarët nuk e bëjnë me vetëdije këtë solidarizim, Rama u tha se do ta bëjë me ligj. Kryeministri përsëriti se problemi nuk është vetëm çmimi, por edhe mungesa e naftës në treg.

“Nuk ka sens që në këtë kohë, një furnizues ka një çmim 240, tjetri 260, tjetri 270. këto janë gjëra që mund të ndodhin në kohë normale, ku secili vë çmimet që do. sot kjo nuk mund të tolerohet dhe nuk do të tolerohet. kush do të shkojë te pika e karburantit do ta dijë se çfarë po paguan. Ndryshe nga shumë të tjerë, ju nuk do të shkoni në shtëpi në darkë me humbje, por ama nuk do të shkoni në shtëpi në darkë me fitime. Do të shkoni dhe do të flini me idenë që i shërbyet popullit tuaj në kohë lufte”, u shpreh Kryeministri.

"Unë kërkoj solidaritetin dhe angazhimit tuaj me hir, ndërsa ligji do e bëjë këtë me pahir. Ju e dini më mirë se unë që çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi, qoftë edhe ky i çmenduri që ishte para dy ditëve, por është edhe mungesa e produktit. Gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet mund të sjellë edhe në pikën që nuk ka naftë dhe energji, sepse sot problemi ynë kur dalim në treg për shkak të thatësirës nuk është thjeshtë se çmimi është çmenduri, 555 euro, por çështja është se nuk e gjen produktin”, tha ai.

Në këtë takim, Rama zbuloi edhe një prej temave të diskutimeve në takimet në Arabinë Saudite. “Ishte për t’i dhënë një mundësi dhe mbajtur lidhjet për furnizimin me naftë", tha Rama.

Një tjetër nismë e komunikuar nga Kryeministri ishte krijimin i rezervës shtetërore në Albpetrol.

“Ne do të jemi 100% në dispozicion për ndihmë nëse do të shohim se problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju do të jeni 100% në dispozicion jo për të na ndihmuar, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, mungojnë bombat, por po vuajmë pasoja. Kemi marrë përsipër që asnjë lloj llogarie racionale nuk e pranon të paguajë 80% të çmimit të energjisë”, tha ai.

Ministrja Balluku u kujtoi tregtarëve detyrimet ligjore për të mbajtur rezerva sigurie deri në 90 ditë.

"Ministria i ka të dhënat dhe janë të qarta dhe transparente të gjithë sasitë e rezervës së sigurisë që secili nga ju duhet të mbajë. Jeni të detyruar të mbani rezerva sigurie. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë et tregtimit duhet të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje. Bordi që kryeministri përmendi që do ngrihet për të menaxhuar në bazë ditorë të gjithë ecurinë e tregut ët naftës do ketë detyrë që përmes instrumenteve të kontrollit që administrojmë, do nisim kontroll në terren për të parë gjendjen faktike të depozitave të naftës, ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar. Kjo do të nisë duke filluar nga nesër në terren, në rast më të mirë, do ishte e udhës që të deklaronit zyrtarisht sasia e rezervës që mbani për të koordinuar me sasinë që kemi përllogaritur. Masa e gjobës është 50 për qind sa kuota e përcaktuar për rezervën e sigurisë", tha ministrja.

Bordi i përbashkët i administrimit nga Qeveria do të ketë në përbërje ministren Balluku, ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtorin e Tatimeve, Enton Duro, drejtorin e Doganave, Gent Gazheli dhe kreun e Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë