Treg

Rama: Me anëtarësimin në BE, do të dyfishohet vlera e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në eventin për rrjetin ndërkombëtar të pasurive të patundshme, “Forbes Global Properties”, i cili i hap dyert në Shqipëri.

Sipas tij, pranisë së Forbes në Shqipëri i paraprin një rritje e qëndrueshme e vlerës së pronës, sidomos në një periudhë kur vendi përgatitet për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Rama tha se me anëtarësimin në BE, vlera e pasurive të paluajtshme në vendin tonë do të dyfishohet. Ai shtoi gjithashtu që 94% e qytetarëve në Shqipëri, janë zotërues të një banese.

“Forbes Properties ka interes për Shqipërinë. Ata nuk shkojnë kudo, ata shkojnë aty ku mendojnë se ka një horizont të ri. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në industrinë e pasurive të paluajtshme.

Por është po kështu edhe lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, sepse nënkupton që pronat, pasuritë e tyre po marrin gjithmonë e më tepër vlerë.

Për 4 a 5 vjet ne do jemi pjesë e BE, dhe historia e anëtarëve të rinj na tregon se vlera e pasurive të paluajtshme pëson rritje të dyfishtë. Pjesa pozitive e mesazhit është që çdo familje shqiptare do ketë një shtëpi të vetën që do ketë një vlerë shumë herë më të lartë vetëm në pak vite”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë