Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka zbuluar objektivin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, teksa prezantonte në Tiranë ekipin e kandidatëve për deputetë.
1 milionë vota kërkon krei i qeverisë në rang kombëtar, për të garantuar mandatin e katërt të PS, e që sipas tij Shqipëria të mos humbë sërish trenin e historisë.
“11 Maji duhet të jetë i tillë, që kur ne të tjerët të numërojmë 1 milionë votat, në 12 Maj të gjithë të vazhdojnë punën qetësisht që mos të ketë luhatje çfarë do bëhet. Është një historike për t’u kuptuar, është një gabim historik që mund të ngelet si plagë. Ne e kemi humbur dikur trenin e historisë. Në 11 Maj kalon treni i historisë për të mbyllur negociatat dhe për të anëtarësuar Shqipërinë brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Më tej kryeministri komentoi rivalët e tij nga PD, duke thënë se në kënetën ku sipas tij kanë përfunduar, nuk mund ta afrojnë ata Shqipërinë me BE-në.
“Të thuash që procesin mund ta bëjnë dhe të tjerët, ata nuk mund ta bëjnë dot. Në rastin më të mirë atyre, që mos të kishin njomje të të ndenjurave në kënetë, ata hanë në kënetë, flenë në kënetë, qëndrojnë në kënetë”, u shpreh ai.
Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë sipas kryeministrit Edi Rama dy anëtaret më të reja të Bashkimit Europian brenda pak vitesh.
“Për herë të parë, ne kemi një mundësi reale dhe aktuale që të bëhemi anëtar të BE. Nuk e kemi pasur para disa kohësh sepse pavarësisht detyrave tona dhe punës, ka dalë një vend njëherë, një tjetër një herë tjetër dhe kanë thënë jo. Ne kemi dashur, ata nuk kanë dashur. Ajo që na kanë përsëritur është që e ardhmja është tek ne, duhet të punoni më shumë. Ama unë jam dëshmitari, kurrë më parë deri tani që flasim nuk e kam parë atë që shoh sot dhe nuk e kam dëgjuar atë që dëgjoj sot, dëshirën e tyre që kjo të ndodh. Sa herë na thonin jo, unë i thoja do vazhdojmë punën. Kjo nuk mjafton, duhet dhe ata që duan dhe ata duan të zgjerojnë BE dhe i duhet të japin një mesazh që BE po zgjerohet dhe ka vetëm dy vende që mund të anëtarësohen shpejt Shqipëria dhe Mali i Zi. Është e qartë pse ata duan sepse bota është në situatë tjetër”, tha Rama.
Duke theksuar këtë objektiv madhor, Rama kërkoi që vota në 11 Maj të mos shkojë dëm dhe të mos hidhet askund tjetër përveçse te logoja e Partisë Socialiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.