Nga Gazeta ‘Si’- Një mbledhje e shkurtër e Këshillit të Ministrave, e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë konfirmoi ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Mbledhja, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, zgjati më pak se 30 minuta dhe në të morën pjesë vetëm ministrat që kanë qenë pjesë e kabinetit ekzistues para ristrukturimit të fundit përveç Ballukut, Spiropalit dhe Pirro Vengut.
Një ditë më parë, Rama njoftoi ndryshime në kabinetin e formuar vetëm në shtatorin e vitit të kaluar, pas zgjedhjeve.
Albana Koçiu u emërua zëvendëskryeministre, duke zëvendësuar Ballukun në postin e numrit dy të qeverisë. Ndërkohë, Toni Gogu është emëruar ministër i Drejtësisë, në një kohë kur qeveria ka paralajmëruar reforma të reja në politikën penale dhe marrëdhëniet me institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK.
Në poste të tjera të rëndësishme, Enea Karakaçi do të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Ferit Hoxha është emëruar ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu, Erjona Ismaili do të mbajë postin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Emrat e rinj pritet t’i dërgohen për dekretim në Presidencë dhe më pas për miratim në Kuvend. Ndërkohë, kryeministri Rama ka paralajmëruar se ndryshimet mund të shtrihen edhe në strukturat e partisë gjatë muajve në vijim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje