Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama mbledh sot kryetarët e bashkive për të diskutuar rreth problematikave të pushtetit vendor duke u fokusuar veçanërisht te menaxhimi i sezonit turistik.
Sipas raportimeve, takimi do mbahet në Durrës. Kjo mbledhje vjen në një kohë kur Rama ka kërkuar nisjen dhe zhvillimin e një aksioni për lirimin e hapësirave publike.
Sipas burimeve, do të diskutohet për Paketën e Maleve, legalizimet dhe regjistrimin e tokave bujqësore, rolin e bashkive në bujqësi, kontrollin e territorit, financat vendore, bashkëpronësia dhe roli i bashkive në negociata dhe anëtarësim në BE.
Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama bërë një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike.
Gjatë vizitës Rama u ka bërë thirrje deputetëve në largim e atyre të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t’ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër. Gjithashtu ai iu ka dhënë ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.
Ndërkohë më 8 korrik Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën. Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara.
Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje. Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje.
Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



