Nga Gazeta ‘Si’- Pas dy orësh ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste.
Gjatë takimit raportohet se është diskutuar mbi organizimin e zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 11 Maj 2025.
Mësohet se në mbledhje u mor vendimi për caktimin e Blendi Klosit si drejtues politik i Qarkut Dibër, pas largimit të ministrit Blendi Gonxhja, i cili do të marrë në dorë organizimin e fushatës elektorale në qarkun Tiranë.
Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka marrë detyrën e numrit dy për drejtimin politik të PS në Vlorë, ku do të bashkëpunojë me Bledi Çuçin për organizimin e zgjedhjeve në strukturat e PS-së.
Në mbledhje është diskutuar edhe për votën e diasporës dhe tërheqjes së sa më shumë shqiptarëve për të votuar PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Rama ka kërkuar vijimin e hartimit të një database për të gjithë emigrantët në funksion të zgjedhjeve të 2025.
Kujtojmë se Rama i ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm shumë më herët dhe ka pretenduar në deklarata për media se PS do të arrijë një rezultat historik, si në vitin 1997.
Nga ana tjetër, edhe opozita ka nisur organizimin për zgjedhjet e ardhshme, ku kryedemokrati Sali Berisha ka premtuar te mbështetësit fitoren e zgjedhjeve dhe rotacionin politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.