Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur mëngjesin e kësaj të hëne lidhur me fushatën dhe zgjedhjet e 30 qershorit.
Në një kohë krize politike dhe përplasjesh të shumta pas dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve, mësohet se kreu i qeverisë, Edi Rama, ka dhënë porosi të veçanta për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke nisur nga ditët e mbetura të fushatës dhe ditën e zgjedhjeve.
Ndërsa e ka quajtur 30 qershorin të panegociueshëm, Rama ka kërkuar të dokumentohet çdo incident i mundshëm gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Të dokumentohet çdo incident i mundshëm gjatë ditës së zgjedhjeve. Të garantohet mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Të jemi korrekt me procesin e administrimit zgjedhor. Të respektohet kodi zgjedhor. Kush prek votën dhe manipulon votën, do përgjigjet para ligjit. Më 30 qershor të kemi një proces me standarde”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë.
Në mbledhje u diskutua për sistemin e patronazhit për pjesëmarrjen në votime. Kujtojmë që Rama gjatë fushatës dje në qytetin e Gjirokastrës deklaroi se do të ketë dënime të rënda për ata që kryejnë krime elektorale, duke i përjashtuar nga administrata.
Ndërkohë në anën tjetër Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur në një takim aleatët për të diskutuar aksionin opozitar të kësaj jave. Nuk ka datë për një protestë kombëtare, ndërsa beteja është zhvendosur në bazë në çdo qytet që Rama ka miting për zgjedhjet e 30 qershorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




