Politike

Rama mbledh kryebashkiakët, ‘porosi’ për pastrimin e mbetjeve dhe Paketën e Maleve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në një takim me kryebashkiakët socialistë në Pallatin e Kongreseve vuri fokusin tek ngritja e emergjencave civile në nivel vendor.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa u diskutuan çështje me interes për pushtetin vendor dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Mësohet se Rama ka vënë theksin te mbledhja dhe përpunimi i mbetjeve, sidomos në zonat turistike.

Në fokus është edhe Paketa e Maleve, puna për të cilën duhet të jetë e vrullshme nga ana e kryebashkiakëve, pasi kreu i qeverisë ka vënë një kusht për rikandidimin e tyre që lidhet pikërisht me këtë nismë.

Sipas Ramës, nëse duan që të rikandidojnë, duhet të sjellin në tryezë minimalisht 10 kontrata të firmosura për Paketën e Maleve.

Gjatë takimit u diskutua edhe menaxhimi i parkimeve në qytete dhe nevoja për përmirësimin e ndërtesave të vjetra të privatizuara, që kanë degraduar me kalimin e kohës.

U theksua gjithashtu rëndësia që shtëpitë dhe objektet me vlerë historike dhe kulturore në qytete të kthehen në muze për të ruajtur trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë Rrok Dodaj, kryetari demokrat i bashkisë së Pukës tha se nuk u lejua të marrë pjesë në mbledhje.

Ai konfirmoi se ka pasur ftesë për të marrë pjesë në takim përmes emailit, por nuk është lejuar të futet në ambientet e Pallatit të Kongreseve për shkak se nuk kishte emrin në listë.

Në një sqarim të mëtejshëm, ai tha se është kontaktuar nga PS dhe i kanë shpjeguar se ftesa i është dërguar gabimisht nga sekretarja.

Ditët e fundit, Rama ka mbajtur disa takime me strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet, si një parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme vendore. Prioritet për mazhorancën në këtë mandat të katërt qeverisës mbetet edhe integrimi në Bashkimin Europian.

Më 21 mars, u mblodh për më shumë se 3 orë në Durrës Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, duke çelur zyrtarisht fushatën për garën brenda partisë. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, analizoi rezultatet zgjedhore të 2025-ës dhe vendosi afatet për të gjithë procesin e “riformatimit” të strukturave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë