Politike

Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë mëngjes në godinën qeveritare Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit.

Në fjalën e tij hapëse, Rama theksoi se fenomenet ekstreme atmosferike kanë prekur jo vetëm Shqipërinë, por gjithë rajonin dhe një pjesë të madhe të Evropës. Ai u shpreh se në një situatë të tillë nuk ka vend për kërkim fajtorësh, por për mobilizim dhe ndihmë konkrete ndaj qytetarëve të prekur.

Gjithashtu, në fokus të diskutimeve është edhe paketa e dëmshpërblimeve, nga e cila pritet të përfitojnë familjet, bizneset dhe fermerët, tokat bujqësore të të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet.

“Duhet durim”

Në fjalën e tij, Rama u ndal te reagimet publike ndaj situatës, duke kërkuar durim dhe përgjegjësi.

Ai iu përgjigj edhe kritikave të opozitës lidhur me menaxhimin e situatës, duke thënë se nuk ndalet shiu me shpifje e protesta.

“Tek vështirësia e rritur e qarkullimit apo dëmtimet e pronës krijohet frustrim dhe, në disa raste, zemërim. Durimi është i domosdoshëm. Nuk po përjetojmë vetëm mot të keq. Shiu nuk ndalet me shpifje, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, retë nuk shpërndahen me slogane”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se thirrjet për përshkallëzim politik dhe për shpallje gjendjeje të jashtëzakonshme, sipas tij, vetëm sa ushqejnë ndarje dhe pasiguri.

“Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma e shpifje, por për solidaritet. Kjo është një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, që ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi dhe Kosova, në Maqedoninë e Veriut e deri në Turqi. I njëjti shi dhe e njëjta dëborë kanë krijuar të njëjtën situatë. Është krijuar një vorbull atmosferike që ka sjellë edhe temperatura të ulëta”, tha Rama.

Bilanci paraprak

Rama paraqiti edhe bilancin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Sipas Ramës, ndryshimet klimatike të kombinuara me ndikimin e aktivitetit njerëzor kanë rritur ndjeshëm intensitetin dhe pasojat e reshjeve, të cilat në disa zona kanë tejkaluar normat mujore dhe vjetore.

Bilanci paraprak në rang vendi, paraqitet i tillë:

  • 1 587 banesa me prani uji
  • 13 211 hektarë tokë bujqësore të prekura, pjesërisht ose plotësisht të përmbytura
  • 339 persona të evakuuar
  • 51 familje të zhvendosura

Dëmtime ka pasur edhe në disa qendra shëndetësore dhe arsimore.

Rama bëri të ditur se reshjet kanë shënuar deri në 300 mm shi, që përfaqësojnë sasinë mesatare të reshjeve të një muaji të tërë, të rëna brenda vetëm katër ditësh. Në disa zona të Ultësirës Perëndimore, reshjet e këtyre ditëve kanë përbërë rreth 25% të sasisë vjetore mesatare.

Si pasojë e prurjeve të jashtëzakonshme ujore, u rritën ndjeshëm nivelet në kanalet e larta, kolektorët kryesorë kullues, përrenjtë malorë dhe lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Shkumbin, Osum, Seman dhe Vjosë, duke sjellë përmbytje edhe në zona ku infrastruktura është përmirësuar gjatë dekadës së fundit.

Rama konfirmoi gjithashtu se në Durrës janë regjistruar 41 mm reshje, ndërsa një punonjës 54-vjeçar i Bashkisë së Durrësit është gjetur i mbytur, pasi ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë