Nga Gazeta ‘Si’- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur këtë të hënë në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e sesionit parlamentar.
Vëmendja kryesore lidhet jo vetëm me agjendën e zakonshme të mazhorancës, por edhe me disa zhvillime të veçanta politike dhe institucionale.
Në këtë mbledhje është i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndonëse ai nuk merr pjesë gjithmonë në takimet e grupit parlamentar.
Po ashtu, në këtë takim merr pjesë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu atë në detyrë, duke pezulluar masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të detyrës”, dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Kjo është praktikisht mbledhja e fundit e grupit socialist përpara seancës së fundit plenare të planifikuar më 18 dhjetor.
Takimi vjen në një klimë të tensionuar politike, pas vendimit të Partisë Demokratike për t’u tërhequr nga komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale, duke paralajmëruar protesta dhe kërkesën për qeveri teknike.
Kryeministri Rama ka theksuar nevojën për reflektim institucional, duke iu referuar një direktive të re të Bashkimit Europian dhe debateve mbi kufijtë e kompetencave mes drejtësisë dhe pushteteve të tjera, duke siguruar se çdo ndryshim synon forcimin dhe pjekurinë e reformës në drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




