Politike

Rama mbështet propozimin e Kos: Idenë që vendet anëtare të vihen në provë e hodha vite me parë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama komentoi edhe idenë e komisioneres Marta Kos që shtetet anëtarë të vihen në provë.

Rama tha se këtë ide e ka hedhur vetë kohë më parë dhe se e mbështet plotësisht edhe sot.

“Më falni mua për këtë që do të them, por do lutesha se para se ta merrni si mungesë modestie, referojuni arkivave, këtë ide e kam hedhur vetë vite më parë dhe i qëndroj kësaj ideje edhe pse nuk e kam shpikur unë, pasi është një ide që i ka rrënjët thellë në historinë e mendimit europian dhe është qasje që u jep mundësinë të dyja palëve të marrin atë që duhet pa krijuar problem për njëra-tjetrën”, u përgjigj kreu i qeverisë.

Sipas tij, përfaqësuesit e vendeve europiane kanë një frikë.

“Ne duam të ulemi në tryezë si të barabartë. Duam të kemi akses të plotë në ngrehinën e BE nga pikëpamja e legjislacionit, etj. Ata duan të njëjtën gjë, por ata kanë një frikë, që duke qenë 27 ka vështirësi në marrjen e vendimeve duke qenë se janë 27. Tani thonë ata imagjinoni sikur të bëhemi 28, 29, 30 e ku di unë dhe sa më e vështirë mund të bëhet, pavarësisht se ne si ballkanas jemi më të qetë se ata vetë që janë ballkanizuar me kohë”, shtoi Rama.

Sipas tij, kjo është një arsye për të gjetur një rrugë të ndërmjet që është pozitive për dy palët.

“E rëndësishme është që ne të mos kemi veton dhe ata të mos tremben nga vetoja jonë”.

Ky vendim, i hap rrugës asaj që është diskutuar shpesh së fundmi, që vendet kandidate mund të bashkohen në Union, por pa të drejtën e vetos së plotë.

Ky plan nga BE nuk ka ardhur pa baza.

Rasti i Hungarisë ka qenë si “mësim” për të, pasi pas anëtarësimit, qeveria hungareze ka përdorur veton shpesh kundër vendimeve të marra nga shtetet e tjera anëtare dhe ka pasur vitet e fundit qasje të theksuar pro-ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë