Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rubrikën “Sy m’sy”, komentoi edhe listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.
Rama tha se janë shfrytëzuar listat e mbyllura për të bërë hapjen brutale të partisë.
Sipas Ramës, listat e hapura dhe partia e mbyllur, listat e mbyllura dhe partia e hapur, këto të dyja kanë qenë linjat strategjike të këtij procesi.
“Çfarë do të thotë?! Listat e hapura dhe partia e mbyllur, do të thotë që në kushtet kur të gjitha përpjekjet për të hapur partinë bëjnë një efekt relativ, dhe konsumi i energjisë dhe konsumi i kohës që partia të hapet, që në të gjithë territorin të ketë një gatishmëri të veçantë ndaj atyre që duan të bëhen pjesë e saj, është i jashtëzakonshëm dhe rezultati është shpeshherë më pak i zakonshëm, pra mediokër pse, sepse ka gjithmonë një tendencë mbyllëse”, tha Rama.
“Listat e mbyllura dhe partia e hapur do të thotë që ne e kemi shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë. Në një farë mënyrë për të bërë hapjen brutale, brutale në sensin që nëse kapacitetet e brendshme në territor nga pikëpamja e qasjes organizative, janë të tilla, që e pengojnë hapjen atëherë ne duhet ta imponojmë në një moment kyç dhe ta imponojmë duke u dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave që përndryshe nuk do të hynin dot”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë mori si shembull Marjana Koçkun (Neomalësore), e renditur e para në listën e mbyllur në qarkun e Shkodrës.
“Marjanën e kam njohur sepse e kam pasur të ftuar në podcast. Ajo është një vajzë që ka lindur dhe është rritur në një vend periferik në Malësinë e Dukagjinit dhe vetë pa asnjë mbështetje, vetë me një guxim me ambicie, ka marrë rrugët e botes dhe ka studiuar Shkenca Politike, pastaj është rikthyer dhe ka shkuar tek ai vendi i vet atje. Një shtëpi të varfër e ka kthyer në një destinacion turistik të jashtëzakonshëm. Dhe është bërë simbol i Shqipërisë turistike, duke sjellë atje të huajt dhe duke eksportuar produktin e natyrës, mikpritjes, dhe gjithçkaje që do të mbetej, diçka e pazbuluar dhe e pashfrytëzuar”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se nëse Marjana do të ishte në listë të hapur do ta kishte shumë të vështirë.
Rama mori si shembull edhe listën e kandidatëve në Vlorë, ku theksoi se gjithmonë ka menduar se në Vlorë PS nuk merre maksimumin.
“Maksimumi që unë besoj se meritojmë dhe vlonjatët do të na jepnin, nëse ne do të ishim në gjendje t’u jepnim atyre një ofertë që nuk iu sjell në mendje mbyllje, partinë e mbyllur, partinë e disave, që kthehet në një shëmbëlltyrë të një klubi të privilegjuarish”, tha Rama.
Prandaj shtoi Rama, “në Vlorë kemi përmbysur komplet listën, për t’iu dhënë një ofertë shumë më komplekse dhe për të dhënë një mesazh se kjo parti nuk është e jona por është edhe e juaja”.
Rama ironizoi edhe kandidatët rivalë opozitarë në këtë qark.
“Ja në Vlorë çfarë patriotësh mund të jeni ju kur do votoni prapë Leskon dhe Qirje Dulen. Ju do shkoni të votoni kot në Vlorë se nuk do merrni më shumë se 4 deputetë”, tha Rama.
Ai tregoi dhe pse kandidoi disa demokratë “të betuar”, një prej të cilëve pikërisht në Vlorë.
“Alban Zeneli ka qenë deputet i PD-së, ai PD do me qejf, por nga ana tjetër nuk do bufin dhe tribunën VIP të kënetës, kështu që ka hapësirën të jetë këtu, kështu që welcome.
Kemi në Tiranë disa, kemi dekanen e fakultetit Ekonomik të Vlorës në listën e mbyllur. Ka qenë në çadër zonja pedagoge, ka qenë këtu poshtë, kërkonte rritje të pagave të pedagogëve.
Deri dje në 2017, se harrova.. O Lul kur ka qenë o vëlla, ëëë kur? 2037? Ë në 2017 më duket ka qenë, sepse mendonte se unë duhet të ikja, tani mendon se duhet të rri”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




