Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në një takim mbi të drejtën e informimit kritikoi komisionerin Besnik Dervishi, duke u shprehur se ky i fundit duhet të aplikojë sanksione ndaj institucioneve, kur nuk merret përgjigje brenda 10 ditëve siç e përcakton ligji.
Rama tha se sanksioneve për mungesë informacioni nga ana e qytetarëve nuk duhet t’i shpëtojnë ministrat dhe sekretarët e Përgjithshëm.
“Kush ministër nuk jep informacion zyrtar brenda afatit, duhet të sanksionohet. E bëmë këtë edhe me parkimet e ministrave dhe duhet ta bëjmë edhe me kërkesat për informacion. Unë besoj tek sanksionet, sepse në fund të ditës nuk janë kot dhe unë nuk besoj te vetërregullimi i shqiptarëve, grekëve, ballkanasve, italianëve etj. Nuk besoj te vetërregullimi”, tha Rama.
Rama theksoi se Shqipëria ka ndërtuar një infrastrukturë funksionale për transparencën, duke përmirësuar kapacitetet për qasje në informacion dhe duke promovuar projekte të reja si Transparent Albania.
Ai deklaroi se qeveria e sheh gotën gjysmë plot dhe media, gjysmë plot.
“I kemi ndarë rolet, ju e shikoni gotën gjysmë bosh dhe unë e shoh gjysmë plot. Kjo është dinamika që shoqëron demokracinë tonë”.
Ai shtoi se vlerësimet e SIGMA-s tregojnë se Shqipëria ka infrastrukturë funksionale për transparencën dhe se projekti Transparent Albania synon të centralizojë gjithë informacionin në një platformë të vetme, ku qytetarët mund të kërkojnë informacion pa vonesa burokratike. “Një pjesë e mirë e problemeve vijnë thjesht nga përtacia burokratike” ,theksoi Rama.
Ai shtoi se do të dekriminalizohet edhe shpifja. “Nuk kemi dërguar gazetarë në gjyqe për shpifje. Ne do ta dekriminalizojmë shpifjen. Do e bëjmë këtë, edhe pse unë besoj se këtu nuk është problem liria e fjalës, por liria e shpifjes. Ne kemi bërë progres të mjaftueshëm, por patjetër që duhet punuar më shumë për më tepër progres”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ndërsa Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi tha se ka ende probleme në lidhje me kërkesat për informacion.
‘Transparenca bën që Shqipëria të përparojë më shpejt drejt BE-së. Problematikat mbeten të njëjta dhe janë theksuar edhe nga Komisioni Europian, përfshirë mospërgjigjen brenda 10 ditëve nga institucionet”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




