Kryeministri Edi Rama, është shprehur se kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu do të mbajë përgjegjësi për veprimet që ka bërë, ndërsa ka shtuar se është lajm i mirë që policët nuk u stepën edhe para një zyrtari të lartë.
Duke komentuar kallëzimin e tre efektivëve të policisë që kanë bërë ndaj ish-deputetit socialist, Rama ka theksuar se nëse rasti verifikohet si i vërtetë, nuk do të ketë asnjë tolerim.
Në lidhje me reagimin e Ndreut në rrjetet sociale (i quajti policët barderra që tejkalojnë kompetencat), Rama u përgjigj prerë.
“Kur vjen puna për ofendimin e policisë, askush nuk ka atë drejtë dhe nuk mund t’ia hedh lehtë pa u përpallur me ligjin për ofendim të policisë, por kur i bëhet dhe një ofendim i vazhdueshëm, kur i hidhet faj për çdo gjë që ndodh, ky është një ofendim shumë më i madh se sa ai individual i një personi ndaj 2 apo 3 efektivëve, – tha Rama gjatë konferencës për shtyp këtë të martë. – Unë do të shqetësohesha, nëse polica dhe strukturat përkatëse nuk do të kishin ndjekur rrugën ligjore, të gjithë gabojmë, por të gjithë duhet të përgjigjen për gabimet e tyre, nuk kemi një tolerim të rastit, ku një zyrtar i lartë ofendon një grup të efektivëve, por ofendimi i madh, është ofendimi i përditshëm dhe mungesa e mbështetjes”.
Sipas Ramës, është një rast për të cilin është bërë denoncim dhe çështja mes palëve zgjidhet në rrugë ligjore. “Nuk kemi bërë mbulesë. PS nuk e mbuloi. Ka bërë shumë gabim dhe të përgjigjet në rrugë ligjore”, – vijoi ai në lidhje me rastin e kryebashkiakut socialist të Lezhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




