Politike

Rama kundër kërkesës së gjyqtarëve: Rritje pagash me mijëra euro, përtej çdo logjike

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së gjyqtarëve dhe magjistratëve për rritje pagash, duke e cilësuar situatën si një shembull të qartë të “përmbysjes së balancës demokratike” mes pushteteve.

Sipas Ramës, disa gjyqtarë dhe këshilltarë kërkojnë rritje pagash prej 1600 eurosh, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët e strukturave të posaçme, GJKKO dhe SPAK, kërkojnë rritje deri në 3100 euro mbi pagën aktuale.

“Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj”, tha Rama.

Rama deklaroi se kjo ndodh kur arrihet të ndryshohet edhe qeveria me një vendim gjykate dhe drejtësia merr kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit pavarësisht se nuk është e votuar nga qytetarët. Postimin e tij, Rama e mbyll duke u shprehur se nuk e ka problemin tek një ministër kur reagon ndaj drejtësisë së re, por te rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve.

“Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve”, tha Rama.

Më herët kreu i qeverisë tha se deklaratat e tij nuk janë presion, por vijnë si shkak i vendimit të gjykatës ndaj Belinda Ballukut, vendim që sipas tij ka prekur pavarësinë e funksionit që ai mbulon si kryeministër. Sipas Ramës, pushteti ekzekutiv rrezikon të gjymtohet në të ardhmen për shkak të atij vendimi.

Kjo ishte hera e parë për sot që Rama do të përmendte kërkesën për rritje page të magjistratëve, por theksoi se kjo është bërë duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin përmes Gjykatës Kushtetuese. Këtë kërkesë ai e konsideroi skandaloze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë