Ngjarje

Rama: Kryepeshkopi erdhi si prift grek, ikën si Anastasi i Shqipërisë. Mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë

Nga Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos ka vlerësuar figurën e Fortlumturisë së Tij, dhe punën e bërë në 33 vite për ndërtimin e Kishës Ortodokse shqiptare.

Rama u ndal te roli i Kryepeshkopit Anastas në ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare si dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë mes Shqipërisë e Greqisë.

“Si një hierark i një bashkësie shoqërore historike me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar, janë qortuar e deri edhe janë anatemuar”, u shpreh Rama.

Rama tha se “pasionet më kontradiktore janë shfaqur kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës. Por edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë e në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era dhe ku gjithmonë e më pak mundësi i lihet shpirtit të shenjtë të fryjë nga të dojë, siç shkruhet tek ‘Gjeneza’”, tha Rama.

Por, tha Rama, përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej dhe këtej kufirit të rihapur pas gjysmë shekulli heshtje mortore dhe të shuara më pas si një hall në oborrin e përbashkët dhe përtej paragjykimeve dhe dyshimeve kronike të lagjes sonë ballkanike, “askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim dhe durim të madh”.

Rama shton se Kryepeshkopi vetë e dëshmoi në 33 vite dhe e dëshmon edhe sot me trupin që la këtu në tokën e Shqipërisë, se në përmasën e vetme që atij i interesonte, në atë të fesë, “Anastasi erdhi nga Greqia si një prift grek dhe ndahet sot nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”, duke shtuar se është vështirë të gjendet në kujtesën tonë çdokush i çdo kombësie që të jetë identifikuar me emrin e Shqipërisë si kryepeshkopi Anastas.

“Nuk kam për qëllim të bëj as nekrologjinë dhe as teologjinë e këtij prelati të cilin për hirin e pamohueshëm të së vërtetës gjithë çfarë mban rruzulli me njerëz të nderuar të fesë, me intelektualë të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetar, në artizanë të komunikimit mes kulteve dhe kulturave dhe deri te çdo kryetar shteti dhe qeverie që e njohu, ja patën shumë zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se prania në këtë ceremoni e Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe delegacionit që e shoqëron jep mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.

“Me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua edhe miku im kryeministri Mitsotakis, i cili na nderon sot me praninë e tij dhe delegacionit të nderuar që e shoqëron për të nderuar figurën epokale të Kryepeshkopit, Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo sot merr frymë lirisht, duke dhënë njëkohësisht me këtë prani mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë”, theksoi Rama.

Rama kujtoi edhe intervistën e Kryepeshkopit të ndjerë vetëm pak kohë më parë për shtypin grek ku deklaroi se “pasuesi im do të jetë shqiptar”.

“Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithëaq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij prania e këtij trupi pajetë të rilindësit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht përpara vetëm pak kohësh në një intervistë të dhënë për shtypin grek, e cila tingëllon më shqip se shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar dhe dyshuar, vetëm e vetëm se ishte grek, Kryepeshkopin shqiptar i cili tha se “pasuesi im do të jetë shqiptar”, tha Rama, duke treguar edhe një pjesë të intervistës së tij:

“Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam respektuar ta mësoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme, a do ta pranonim të drejtonte Kishën e Greqisë një bullgar apo serb, sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni, por për të bërë një Kishë Autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e Kishës së Greqisë, ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë