Politike

Rama kritika për AMP: Nuk mund të kemi drejtues injorantë që ndërtojnë pa leje

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama pati kritika edhe për punën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Rama iu rikthye precedentit të drejtorit të AMP-së Vlorë që ishte shkarkuar për ndërtim pa leje, por që u ndihmua nga një vendim gjykate.

Rama deklaroi se nuk mund të ketë më drejtorë të tillë që janë falsifikatorë apo që bëjnë “çarçafin e babait”.

“AMP është strukturë e re, e ngritur për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, e pavarur nga ajo, vazhdimësi por me një sërë atributesh të reja të shërbimit të brendshëm deri para ca vitesh dhe që kërkon të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet dhe t’i adresojë si duhet objektin e punës së vetë. Se nuk mund të kemi drejtues të AMP-së në territor që janë kryesisht ndërtues pa leje, e që mbrohen nën hijen e babait. E ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit, është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje.

Drejtues injorantë që nuk e kanë mësuar akoma se kjo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra! Si mund të pritet nga drejtues të këtij niveli të mbikëqyrin policinë, kur ai duhet mbikëqyrur nga drejtësia?!”, ironizoi ai.

Ish-drejtuesi i AMP Vlorë, Glodian Ahmetaj, ishte i përfshirë në një ndërtim pa leje në Ksamil, si dhe kishte mashtruar përmes dokumenteve duke pretenduar legalizimin e ndërtimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë