Politike

Rama kritika gjyqtarit Demiri: Bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun’! 

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama nuk kursen sërish kritikat ndaj një tjetër gjyqtari të Gjykatës Administrative të Tiranës.

Kësaj radhe reagimi vjen për gjyqtarin Klarent Demiri, të cilin Rama e akuzoi se ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësirë publike të zaptuar nga një lokal në kryeqytet, të cilin e ka ndarë edhe me foto.

Gjyqtarin e akuzon se vendimi i tij ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE. Ai paralajmëroi se rasti i gjyqtarit Demiri do të ndiqet në të njëjtën mënyrë si ai Gjelit dhe Balliut, duke iu drejtuar organeve të pavarura të kontrollit të gjyqësorit.

Rama shtoi se pret nga këto institucione të dalin nga “zona e komfortit”, duke treguar përkushtim dhe kurajë në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?

Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE

Një gjë është pak po e sigurtë:

Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut

Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë