Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka kërkuar pezullimin urgjent të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke akuzuar institucionin se po dëmton më shumë sesa po ndihmon sigurinë ushqimore në vend.
Gjatë një takimi me fermerët, shefi i qeverisë u shpreh se është e domosdoshme ngritja e një komisioni të posaçëm që do të shqyrtojë dhe filtrojë burimet njerëzore brenda AKU-së.
Për kryeministrin, AKU-ja ka sjellë shqetësime jo vetëm për konsumatorët, të cilët janë përballur shpesh herë me produkte jo cilësore dhe që ndikojnë menjëherë në shëndetin e tyre, por gjithashtu dhe për të gjithë sipërmarrësit e të gjithë ata që janë pjesë e sektorit të bujqësisë.
“AKU-ja, është shqetësimi më i madh, në vend se të jetë partneri më i madh e i rëndësishëm. Është shqetësimi më i madh i gjithë sipërmarrësve, që janë në sektorin e bujqësisë. Por, është shqetësim edhe për të gjithë restorantët, për të gjitha kafenetë. Më shumë se sa bën mirë, bën dëm”, tha ai.
Rama pati thirrje dhe për ministrin e Financave, Petrit Malaj, që ishte pjesë e diskutimeve aty. Kreu i qeverisë i tha Malajt që të nxirret menjëherë vendimi i pezullimit të veprimtarisë së AKU-së.
“Kështu AKU-ja, ministër, duhet nxjerrë vendim pezullimi i veprimtarisë së AKU-së. Totalisht. Nuk duhet më të dalë!”, përmbylli Rama në lidhje me AKU-në.
Ai shtoi se problem kryesor mbetet informaliteti në tregun ushqimor dhe mungesa e faturave për produktet që qarkullojnë, sidomos për ushqimet e freskëta.
“Strukturat e pafaturuara që mund të jenë të rrezikshme dhe që mund të sjellin pasoja katastrofike për shëndetin e njerëzve nuk mund të tolerohen. Tatimet duhet t’u kujtojnë bizneseve të vogla se, edhe pse janë të përjashtuara nga taksat, duhet të jenë aleatë në luftën kundër informalitetit që prek drejtpërdrejt shëndetin publik,” u shpreh ai.
Në mënyrë të veçantë, Rama përmendi tregtimin e qumështit dhe produkteve të tjera ushqimore pa fatura, duke theksuar se pas një faze sensibilizimi do të nisë sekuestroja e menjëhershme e çdo produkti të tillë në treg.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur rritet shqetësimi për standardet e sigurisë ushqimore në vend, ndërsa efektiviteti i institucioneve përkatëse, përfshirë AKU-në, po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.