Bashkitë duhet të gjejnë burime të reja të ardhurash, për t’u shkëputur nga varësia e thellë e të ardhurave nga qeveria.
Mesazhi kryesor i përcjellë nga Kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive ishte vetëm një.
“Pse të mos i zhvilloni vetë pronat si bashki, por kërkoni vetëm kompanitë private? Nuk po flasim për gjëra të pamundura. Pse duhet të jetë qeveria kampione në digjitalizim, pse të mos jenë bashkitë, ndërsa në të gjithë botën ndodh e kundërta”, deklaroi Rama.
Rama tha se bashkitë duhet të ndërtojnë dhe organizojnë aktivitetin e vet ekonomik që u sjell të ardhura shtesë financiare. Për financimin e këtyre aktiviteteve, kreu i Qeverisë tha se bashkitë do të kenë mbështetjen e qeverisë, por edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë këtu Bankën Botërore.
Kryeministri paralajmëroi se qeveria do të ndërhyjë duke marrë në administrim bashkitë nëse nuk zbatojnë disiplinën financiare të tyre.
“Do të marrim masa nëse nuk përmbushni detyrimet financiare në raport me disiplinën financiare, duke marrë bashkitë nën administrim. Siç bëhet në Itali dhe Francë kur bashkitë shkojnë në kolaps dhe kur situata financiare bëhet një gropë që nuk mbushet dot më duke bërë sikur nuk e sheh. Siç bëmë me pastrimin do të bëjmë edhe me disiplinën në buxhetet bashkiake. Do t’i bllokojmë”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.