Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama tregoi diskutimet e brendshme mes socialistëve lidhur me punën e drejtësisë, nga një takim me qytetarët në periferi të Tiranës.
Rama tha se është Partia Socialiste ajo që i ka dorëzuar “shpatën” SPAK-ut dhe zgjodhi të heshtë 5 vite rresht në respekt të këtij pushteti.
“Duke i dhënë shpatën i ke hapur sytë për të parë edhe qafën tënde. PS është bërë edhe organizmi mbi të cilin bëhen edhe operacione kundër korrupsionit. Në këto operacione, sigurisht që ka tumore për të pastruar. Por, ndodh që siç ishte ajo historia që mjekët harruan çadrën në stomak… Ndodhin dhe aksidente në këtë proces, sepse është praktikë e re. Të mbyllësh gojën 5 vjet me radhë, jo vetëm unë. Të gjithë! Jo me kënaqësi, por ama të gjithë me një vetëdije që po bëjmë gjënë e duhur ama. Kemi pasur shumë debate, momente që ore mirë mo tani. Kjo bën muu…nuk është kështu! Jo lëre! Na ka interesuar që shpatën që e kemi dorëzuar, ta besojmë deri në fund që është e tyre. Kjo është sakrificë e madhe në kuptimin e pushtetit.”
Teksa sërish kishte marrë me vete foton e simbolit së Drejtësisë, gjatë takimit me strukturat në Kamëz, Rama tha se “duhet të jemi krenarë për reformën”.
“Ne këtë shpatë me reformën në drejtësi, ia dorëzuam zonjës dhe patjetër që në momentin që ke dorëzuar shpatën duke qenë pushteti, ti në fakt nuk ke dorëzuar thjesht shpatën e t’i thuash merre ti shpatën dhe tani do ta përdorësh ku të të them unë se nuk funksionon kështu. Ku ta dorëzon tjetri shpatën mo? Ku ke gjetur ti ta përdorë tjetri shpatën, siç thua ti, kur ai e ka shpatën të vetën dhe për më tepër, shqiptarët, nuk ndodh kjo. Por ama, duke i dhënë shpatën, i ke hapur sytë që të shohë dhe qafën tënde se shpata është për t’u përdorur, nuk është për t’u mbajtur në dollap“.
Rama deklaroi se nëse ka një gjë me të cilën duhet të merren organet e drejtësisë është “gjaku në kënetë”, referuar viktimave të “21 Janarit”, ngjarje për të cilën fajëson kryedemokratin Sali Berisha.
“Sot për sot, ky është një proces me luhatje, gabime, me faje po të doni, me shkelje. Por në pikturën e madhe, përveç gjërave pozitive që kanë ndodhur, është gur themeli për të pasur një pushtet drejtësie të pavarur e profesional, garant të lirive dhe të drejtave. Me kë do merret drejtësia?! Me të vdekurit, apo me kënetën? Nëse ka një gjë për t’u marrë me kënetën, është ajo. Gjaku që është në kënetë nga vrasja e njerëzve të pafajshëm, por sa i përket korrupsionit janë çështje që kanë të bëjnë me administrimin e pushtetit dhe në këtë pikë ka dhe një gjë që sa herë ka një luftë të tillë, paralelisht krijohet një perceptim sikur këtu plasi peshku. Në fakt, këtu ka filluar pastrimi!”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




