Politike

Rama: Kemi filluar një proces për drejtësinë, nuk pranojmë që gjykatat të jenë ‘noter’ të prokurorisë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka folur sot në rubrikën “Sy m’sy” për anëtarësimin në BE si dhe për reformën në drejtësi.

Ai tha se PS e ka bërë zgjedhjen e saj dhe janë në krahun e drejtësisë, por theksoi që gjykata s’duhet të noterizojë çdo gjë që kërkon prokuroria.

“Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, jemi në krahun e drejtësisë. Nuk bëjmë avokatinë e askujt. Kemi filluar një proces që të japim opinionet tona për cilësinë e drejtësisë që shpata të mos kthehet në një forcë ndëshkimore abuzive. Që gjykata të funksionojë dhe noterizojë çdo gjë që kërkon prokuroria, dhe që prokurorët e gjykatësit të jenë të verbër, pra të paanshëm dhe të drejtë”, tha Rama.

Një prej komenteve të ndjekësve ishte në lidhje me hetimet e SPAK në drejtim të figurave politike të PS, duke i thënë se do duhet që ai të bëjë një “kontroll” shumë të mirë të njerëzve që përfshinë në parti.

Rama tha se kjo nuk është as e ligjshme dhe as e moralshme, që të bëhet ‘hetim’ i personave, por shtoi se SPAK i cili ka kapur disa emra të politikës, është rezultat i përpjekjes së tij dhe PS për reformën në drejtësi.

“As me ligj, ligji nuk e lejon që unë të bëjë kontrolle siç i imagjinon ti, as me traditë nuk bëhet… mos harro që hetimet e SPAK i solli përpjekja dhe rezultati i përpjekjes time me vetëdije të plotë së bashku me skuadrën time për të bërë reformën në drejtësi dhe për të hapur rrugën e pastrimit nga një llum shumë i madh që ishte mbledhur në fyt të kombit shqiptar”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë