Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë për nderimin e zjarrfikësve që luftuan më flakët, u ndal sërish te kritikat për disa gjyqtarë dhe prokurorë që sipas tij kanë vepruar jo në interes të publikut.
Rama tha se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja që të përcjellë pranë organeve drejtuese të gjyqësorit ankesat që ai ka shprehur për gjyqtarët e përmendur së fundmi.
“Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi se nuk do kursejë çdo mbështetje institucionale për prokurorët e gjykatësit që i shërbejnë misionit kombëtar të Shqipërisë në BE, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Disa personave që nuk iu dihen emrat e nuk iu njihet fytyra me ndjeshmëri njerëzore zero, dhe integritet moral zero me xhufkë, në ajër të kondicionuar mbuluar me tyrbën e zezë të gjykatësit përqeshin sakrificat dhe shkelin me të 4 këmbët interesat e vendit, duke dhënë vendime të ububushme jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’i përcjellë organet e qeverisjes së gjyqësorit rastet e mësipërme. Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë“, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




