Futboll

Rama: Ja kur mund të rikthehet futbolli

Koronavirusi ka sjellë anulimin e aktiviteteve sportive në rang kombëtar duke krijuar kaos dhe mungesë financash, ku drejtuesit e disa klubeve kanë kërkuar që qeveria të hedhë sytë nga futbolli dhe të ndihmojë klubet shqiptare. Në lidhje direkte me emisionin “Opinion”, kreu i qeverisë shqiptarë është ndalur te kjo temë, ku nuk përcaktoi datën e saktë se kur mund të rifillojnë aktivitetet sportive në Shqipëri, veçanërisht futbolli.

Rama deklaroi përsëri se klubet e futbollit nuk do të marrin mbështetje ekonomike. Sipas kryeministrit, klubet e futbollit deklarojnë listë pagesa fiktive, sa një kompani fasone dhe për këtë arsye nuk duhet të ankohen sot, por duhet të gjejnë mënyrën e tyre për të mbijetuar.

Rikthimi i sportit – Ne kemi punuar për një plan të veçantë sa i përket lehtësimet të bizneseve dhe masave që kemi ndërmarrë. Me shumë mundësi, java e ardhshme do të jetë një fazë përgatitore për ata që do të hapen të parët,  pra bizneset me rrezikshmëri të ulët. Më pas do të hapen aktivitetet e biznesit me rrezikshmëri të mesëm dhe me rrezikshmëri të lartë. Te kjo e fundit futen edhe aktivitetet sportive dhe ato çlodhëse.

Sa i përket afatit se kur mund të hapen këto bizneset me rrezikshmëri të madhe, mund të them se nuk dua që të tregohem optimist këtu, megjithëse e di që njerëzit preferojnë të dëgjojnë këto kohë një gënjeshtër të bukur më shumë sesa një të vërtetë të hidhur. Ne do ta bëjmë si Austria dhe jemi vetëm 10 ditë larg tyre. Me njërën dorë jemi te frenat dhe sapo numrat të përkeqësohen gjatë hapjes, atëherë do i tërheqim. Mos shikoni shumë vendet e tjera, ne jemi një skuadër si e jona që është modeste. Jo të thoni që; jo po hajde ta bëjmë si Barcelona tani, hajde ta bëjmë si Bajerni i Mynihut”.

Ndihma ekonomike – Për çfarë t’i paguajmë?! Për faktin që janë paguar historikisht shumë më tepër sesa kanë deklaruar?! Sepse po t’i shohësh, i deklarojnë si fasone dhe paguhen shumë mirë në fakt. Prandaj mos ta hapim më tej këtë temën se shkon e gjatë pastaj. Sportistët janë paguar mirë dhe këtë luftë e kalojnë pa ndihmën e shtetit. Në këtë moment artistët, këngëtarët, sportistët duhet që të shohin rreth e rrotull se ka shumë më keq se ta. Nëse lufta vazhdon, ndoshta mund t’i ndihmojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë