Politike

Rama ironizon opozitën: Këta Sude dhe Rrapushë janë vetëshpallur si shpëtimtarë. Duan t’u shesin pensionistëve qilima fluturues

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën gjatë fjalës së tij në Kuvend për projektbuxhetin 2024.

“Sudet dhe Rrapushët kanë nxjerrë në pazar qilimat fluturues në prag të ballafaqimit elektoral”, tha Rama gjatë fjalës në Kuvend.

Kreu i qeverisë u shpreh se “këtë shitës qilimash flutures kanë marrë rrugët për t’u shitur pensionistëve qilima dhe shqiptarëve një tufë përrallash të 1001 netëve”.

“Ka shumë për të thënë për temën e pensioneve e cila në vigjiljen e ballafaqimit elektoral është bërë shesh për përshesh të lloj lloj spekutalantësh që janë vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionistëve dhe kanë nxjerrë në pazar qilimat fluturues të Sudes dhe Rrapushit. Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën e djersitur por plot oreks për pushtet, këta shitës qilimash flutures, disa të njohur për punë të këqija, disa të panjohur sepse nuk kanë punuar akoma asnjë ditë të vetme për shtetin, kanë marrë rrugët për t’u shitur pensionistëve qilima dhe shqiptarëve një tufë përrallash të 1001 netëve.

Por ndërkohë që këto Sude dhe Rrapushë do të ndihmojnë për të bërë të qartë dallimin mes ecjes sonë në rrugën e shtetbërjes europiane dhe ecjes qafëthyese mbi qilimat e përrallave të tyre, dua të sjell këtu vetëm një shumë fakte të punës së mirë që kemi bërë.

A e dini psh që mësueset me 38 vite pune që kanë dalë në pensione përpara se ne të vinim në qeveri merrnin 23 mijë lekë pension, ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune e ka 36 mijë lekw pas daljes në pension pas 2014?”, tha Rama.

Ndërsa e quajti opozitën 'mbeturinë', Rama tha se “pranverën e ardhshme shqiptarët do të japin me vendimet e tyre gjykimin më të mirë për PS, dhe më të merituarin për këto mbeturinat e një kohe që nuk kthehen më kurrë”.

“Nuk ka vend për kënaqësi, por ka shumë vend për besim. Shqipëria që ne duam, po bëhet. Ne po e ngjisim Shqipërinë aty ku gjendet oborri i familjeve evropiane. Rruga është ende e përpjetë, por Shqipëria që duam nuk është ëndërr e parealizueshme, por është drejt destinacionit.  

PS ka një virtyt, gjithmonë e më fortë. Dëgjon, duron, lufton dhe në momentin e duhur ua kthen të tërëve siç e meritojnë. Ky buxhet i ri është dritarja ku shihet rruga drejt destinacionit historik. Mblidheni mendjen, keq dolët këtë herë, keq do dilni. Pranverën e ardhshme (shqiptarët) do të japin me vendimet e tyre një gjykim që do jetë më i miri për PS dhe më i merituar për këto mbeturinat e një kohe që nuk kthehen më kurrë.”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë