Politike

Rama: Inteligjencë Artificiale për monitorimin e rrugëve dhe korrupsionin. Synojmë të prodhojmë paratë në vend

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një konferencë rajonale mbi qeverisjen digjitale, kryeministri Edi Rama tregoi planet e qeverisë për implementimin e Inteligjencës Artificiale

Duke folur për avantazhet e adaptimit të IA dhe duke theksuar se Shqipëria ka bërë progres më shumë se rajoni, Rama tregoi se kjo teknologji do të ndihmojë në rritjen e sigurisë në vend dhe në luftën kundër pastrimit të parave e korrupsionit.

Ndër të tjera, kryeministri njoftoi se shumë shpejt do të nënshkruajë një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, për të transformuar shtypshkronjën e letrave me vlerë, me qëllim dhe prodhimin e parave në vend.

“Për sigurinë në rrugë, do monitorojë në kohë reale se çfarë ndodh në rrugët e vendit dhe deri ë qelizën bazë të së nesërmes që janë shkollat. Policia do të bëhet e ‘padukshme’ si rezultat i teknologjisë dhe do të ketë një raport krejt ndryshe nxënës-mësues-prind. Gjurmimi i transaksioneve me Inteligjencën Artificiale që do t’i bashkëngjitet sistemit të fiskalizimi, do të bëjë të mundur përshkallëzim të luftës kundër informalitetit, bizneset do të monitorohen mbi bazë risku dhe nuk do të shqetësohen më nga kontrollet. Për t’a mbyllur me një tjetër produkt që do të na lehtësojë gjurmimimin e mallrave të akcizës, po përgatisim dhe do e firmosim javët e ardhshme një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, për të transformuar shtypshkronjën e letrave me vlerë. Të prodhojmë jo vetëm paratë, të gjitha llojet e letrave me vlerë, përfshirë edhe të gjithë çfarë ka në botën digjitale, identifikimit përmes telefonit dhe jo përmes një karte identiteti|, tha Rama. 

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Shqipërisë theksoi se në mandatin e katërt të qeverisë së të majtëve, prokurimet publike do të arrijnë të realizohen 90% nga Inteligjenca Artificiale.

“Kur mblidhemi në të Ballkanit bëjmë dy sforco të mëdha, kush është më i vjetri dhe kush është i pari. Më të vjetrit dihet që jemi ne, por që të jemi të parët, kjo nuk para dihet. Në modelin e IA që po ndërtojmë besoj se në mandatin tonë të katërt ne do jemi vendi i parë që do realizojmë prokurime 90% me AI, dhe me nivel të pakonkurrueshëm. Kjo do jetë një tjetër arritje falë kësaj mundësie që na jep teknologjia”, tha Rama.

Rama sqaroi se në këtë konferencë është i pranishëm edhe kreu i AKSH-it të Kosovës, por nuk ka qenë pjesë e panelit, për shkak se është konferencë e një niveli politik.

“Më vjen shumë mirë që të gjithë fronin e revolucionit digjital në rajonin tonë pothuajse e mbulon gjuha shqipe. Duke pasur parasysh që këtu është dhe drejtuesi i AKSH të Kosovës, por nuk ishte në panel sepse ishte një nivel përfaqësimi politik, atëherë bëhet shumë e qartë hegjemonia e gjuhës shqipe në të ardhmen digjitale të rajonit. Uroj që të mos kthehet në një arsye për të prodhuar një debat në një provokim rajonal”, u shpreh kreu i qeverisë.

Drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj pjesë e folësve në konferencë, njoftoi se brenda 2025-s në platformën e-albania do të jetë përshtatur asistenti virtual 3.0 për shërbimet e qytetarëve dhe bizneseve

Karçanaj theksoi se është gati moduli për transpozimin e direktivave të BE-së me anë të Inteligjencës Artificiale.

“Teknologjia është për ti bërë gjërat më të lehta për qytetarët. Falë digjitalizimit qeveria mund të japi atë çka ka premtuar. Askush nuk kishte menduar që IA do përdoret për të dhënat e fiskalizimi, që do përshpejtonte integrimin e një vendi në BE. Këto janë disa nga projektet e qeverisë për digjitalizimin. Janë 1 mln transaksione me këtë asistent. Do kemi versionin 2.0 që do vijë me zë dhe figurë. Në vitin tjetër kur e-albania të jetë live do kemi asistentin virtual 3.0, që do jap shërbime direkt pro aktive. 2 mld transaksione të fiskalizimit me AI. Projekt ambicioz është krijimi  i sistemit modern të prokurimeve me AI dhe Machine Learning me transparancë. Do transformohet shërbimi i bashkive ndaj qytetarëve. E kemi shumë të madhe ambicien. Partneritete me organizata botërore, Open AI, Microsoft kanë qenë krah nesh”, përfundoi drejtuesja e AKSHI-t.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe mbajti fjalën e tij në konferencë dhe bëri thirrje për bashkëpunim midis vendeve për një progres të mëtejshëm në këtë drejtim.

Gonxhe tha se Shqipëria do jetë ndër vendet e para në Europë që do lançojë një asistent virtual me anë të e-Albania, që do lehtësojë shërbimet për qytetarët dhe bizneset.

“Duhet të rrisim standardet në fushën e sigurisë kibernetike. Digjitalizimi duhet të shoqërohet me digjtalizimin e bërjes ekonomi dhe mënyrës së të menduari. Duhet koalicion mes shteteve, partnerëve, start up. Ambicia është shumë më e madhe se digjitalizimi, është vizioni i një vendi europian të përparuara. Kërkoj të mësojmë më shumë për spektrin dhe si ta përparojmë më shpejt. Ndër vendet e para në Europë për lindjen e një asistenti virtual për e-albania. Në 2030 do kemi edhe më shumë pse të krenohemi”, tha Gonxhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë