Politike

Rama: Integrimi në BE, hakmarrje për të gjitha poshtërimet që na janë bërë 100 vjet

Nga Gazeta ‘Si’- Kur na ndajnë 75 ditë nga zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë nga ku foli për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Ky është një moment historik për Europën, edhe për ne dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare që është hapur që të vendosim Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian. Tani, kjo nuk është një fjalë goje dhe nuk është as abstrakte, sepse ka shumë gjëra që ne kemi gojëplot të themi, shumë gjëra”, tha Rama.

Sipas Ramës, Bashkimi Europian nuk bën dhurata dhe nuk bën politikë në këtë proces, por bën vetëm hesape.

Duke u ndalur te korrupsioni, Rama tha se flitet më shumë se më parë, për faktin se vendi dhe shoqëria është angazhuar fort në luftën kundër korrupsionit.

Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria është e para në klasifikimin e integritetit të prokurimeve publike në rajon.

“Sot – nuk e themi ne këtë, po e thotë Bashkimi Europian, përmes strukturës së vet, që merret me analizën faktike, jo me gazetat dhe me portalet dhe me kanalet, – Shqipëria është e para në klasifikimin e integritetit të prokurimeve publike në rajon dhe është me diferencë. Ne jemi 80 pikë, vendi i dytë është 71 pikë, 71 pikë, që është Mali i Zi, që është bashkë me ne, më afër derës së anëtarësimit. Pastaj vijnë të tjerë. Ne jemi të parë në prokurimet publike. Nuk kemi qenë në këtë pozicion, kemi qenë ibret. Sot jemi të parët”, tha Rama.

Futjen e Shqipërisë në BE, kreu i qeverisë tha se e përjeton si hakmarrje.

“Dhe kjo është diçka që unë personalisht, sinqerisht, personalisht, unë e përjetoj si hakmarrje. Hakmarrje për të gjitha llojet e poshtërimeve që na janë bërë njëqind vjet. Për faj të tyre, për fajin tonë, nuk ka pikë rëndësie. Hakmarrje për gjithçka kanë hequr shqiptarët, ç’keni hequr ju bashkë me mua e të tjerët, nuk ka rëndësi, qoftë dhe njëherë, duke kaluar atë kufirin atje me pashaportën, duke të parë ai kështu sikur për shef një bandit dhe mbi të gjitha hakmarrje për fëmijët tanë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë