Kryeministri Edi Rama shprehet i vendosur për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të tyre, duke deklaruar se ndërtesa aktuale nuk ka asnjë vlerë aktuale. Në konferencën përpara nisjes së pushimeve zyrtare, kryeministri doli përpara medias për të bërë një rezyme të punës gjashtëmujore të qeverisës, por mbi të gjitha për të folur për situatën politike.
“Nuk ka qenë aty Teatri Kombëtar në planin italian, nuk ka qenë aty teatri kombëtar në planin e pas luftës ka mbetur si ajo fjala një gjë e përkohshme mbetet gjithë jetën si rezultat i pamundësive dhe është sot në pikën që është e degraduar në pikën që është e parekuperueshme edhe sikur të donim ta rekuperonim është e ndërtuar me një material të parekuperueshëm. Nëse do të kishte vlerë nga pikëpamja arkitektonike dhe nëse godina do të kishte hapësirat për të pasur aty një teatër, se nuk është bërë për të qenë teatër, atëherë nuk do të ishte e mundur të restaurohej, por do të shembej e rindërtohej “mot à mot” sipas projektit . Të gjithëve u them se do na kushtonte me pak se godina e re nëse do e ndërtonin siç është”, – theksoi Rama.
Sipas tij, “Është e pavërtetë, asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillimi privat, asnjë centimetër, zhvillimi privat vjen pas murit rrethues të teatrit. Ç’ka do të thotë se nëse ne do të ishim të interesuar aty për zhvillimin privat dhe jo për teatrin do ta kishim të lehtë fare ti qetësonim të gjithë këta, të bënim kopjen e teatrit ekzistues, sepse do ta kishim të lehte fare që të qetësonim të gjithë këta, të bënim kopjen e teatrit ekzistues në të njëjtin kufi, sepse ajo nuk restaurohet dot dhe do të ishim në rregull. Por për çfarë arsye do ta bënim këtë. më thoni arsyen dhe do të paguante shumë më pak privati që do të merrte po atë sasi toke mbrapa për ta bashkuar me pronën private për të bërë atë zhvillimin tjetër”.
Kryeministri theksoi nëse do të kishte aty një vlerë arkitektonike që të përmbushte kushtet për të qenë trashëgimi kulturore pa diskutim duhej ndërtuar nga e para njësoj siç është. I pyetur se përse qeveria nuk pret një vendim të Gjykatës Kushtetuese për teatrin tashmë që Presidenti i Republikës e ka dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese, Rama tha se “për të njëjtën arsye se nuk presim dot tërmetin për të marrë vendime të tjera”. Ndër shprehu vendosmërinë se gjithçka do ta realizonte sipas afateve për ndërtimin e godinës së re.
Shkarkimi i Metës dhe refuzimi për ta takuar
Rama nuk ka kursyer batutat dhe ironitë për presidentin Meta, ku shkak është bërë letra e dërguar për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për shkak se mund të kishte lëvizje sizmike të mëdha. Ai u shpreh se nuk është takuar më Metën pas zgjedhjeve të 30 qershorit. “Jo faleminderit. Nuk e kam në plan të takoj Metën, por jam gati ta ndihmoj nëse ma kërkon. Sinqerisht jam shumë i keqardhur për presidentin dhe gjendjen e institucionit. Siç e keni parë jam kursyer dhe do të vazhdoj të kursehem sepse realisht situata e presidentit është e rëndë dhe nuk dua ti krijoj më shumë vështirësi në perceptimin e realitetit. Tërmetin ai e ka shumë të thjesht nxjerr një dekret dhe e shtyn”, deklaroi Rama.
Kryeministri sakaq reagoi edhe nëse me qëndrimin e që do të mbajë mazhoranca nëse Komisioni i Venecias e rrëzon kërkesën e tyre për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. “Ne e kemi çuar çështjen për trajtim në Komisionin e Venecias për të pasur një proces të konsoliduar dhe të mirëkuptuar nga publiku tërësisht, por edhe të qartë për të gjithë komunitetin e miqve dhe partnerëve tanë. Procesi vazhdon, nuk ishim të detyruar ta çonim në Komisionin e Venecias, por duke qenë se i besojmë gjithnjë ndërtimit të proceseve të konsoliduara dhe harmonizuara me mendimin më të mirë të fushës aty ku është e mundur dhe duke qenë se në këtë rast kemi mundësinë e një mendimi të padyshimtë për nga cilësia në këtë fushë, i jemi drejtuar Komisionit të Venecias. Do të presim edhe raportin e Komisionit të Venecias dhe pastaj do të gjykojmë mbi bazën e raportit”, theksoi Rama.
Rama i vendosur: S'ka zgjedhje të parakohshme!
Kryeministri hodhi poshtë çdo mundësi që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe se është i gatshëm që të ulet në tryezë me opozitën jashtë parlamentare, por theksoi se “nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë”.
Ndërsa u shpreh se “nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve për një komunikim me Bashën për zgjidhjen e krizës politike”. “Unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time dhe të njerëzve në këtë muhabet çdo ditë, sepse me të drejtë çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi mund të thotë: ‘ik se na rrokanisët kokën që të gjithë’. Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe detyra më të rëndësishme për mua sot, se sa të pres Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhin, apo këdo qoftë tjetër që të kandisen për të folur. Është puna e tyre. Ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja më parë, sepse duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë e vendit. Është një punë kolosale për të gjitha ato që thashë dhe shumë të tjera që nuk është vendi dhe koha. Fokusi im nuk është kjo loja ‘macja me miun’ e atyre që zgjodhën një rrugë që për mua ka qenë e qartë që ditën e parë. Ua kam thënë kur ishim në parlament, kjo rrugë do t’ju çoj më keq se sa jeni. E zgjodhën dhe të gjitha i kanë vendosur vetë… ”, theksoi Rama. Sipas tij nuk ka asnjë lloj komunikimi mes tij dhe Bashës, apo që të dy liderët të shkojnë të takohen diku në vendet e BE-së, apo dhe që përballja mes tyre të ndërmjetësohet në Tiranë nga ndërkombëtarët.
Ai shtoi se pas 30 qershorit nuk ka ndonjë hapësirë për t’i lëshuar opozitës, duke shtuar se nuk ka kohë për gjëra të tjera. “Jam gati që të diskutoj për reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe porosisë së lënë nga Këshilli Europian, palët negociojnë rregullat e lojës, jo lojën. Nëse duan rregulla të reja. Ka mbaruar historia e shpikjeve apo karameleve, qofte te daja nuk ka më, se daja ka vdek në 30 qershor. Partitë duhet të futen në lojë dhe populli vendos kush fiton apo humbet. Akuzat e opozitës? Kam punë shumë më të rëndësishme për të bërë sesa të reagoj për akuzat e opozitës”, vijoi kreu i qeverisë.
Sipas tij rritja ekonomisë, rritja e punësimit, përmirësimi i kushteve të punës për njerëzit, rritja e sigurisë ushqimore janë shumë të rëndësishme se muhabeti e takova nuk e takova, a ka ndonjë njeri që po mundohet të bëjë krushqi. “Ne jemi gati, unë jam gati nuk kam asnjë paragjykim, asnjë kusht. Duan të ulen dhe diskutojnë për të ardhmen, që vjen më shpejt se ç'duket, 2021 është shumë afër se sa i duket atyre dhe nëse ata vazhdojnë kështu edhe disa muaj 2021 e kanë paketuar sërish me duart e tyre”, theksoi kryesocialisti.
Për Ramën, situatën e opozitës aktuale nuk e ka kishte menduar as në ëndrrën më të keqe, pasi “është një opozitë që synon të vrasë veten dhe kjo kryeministrin politikisht me ide apo me projekte”.
Largimi i Bushatit dhe ndryshimet në Qeveri
Rama përjashtoi ndryshimet në qeveri në parim dhe se ato mund të merren të ndikuara nga situata. “Jo. Në parim jo pastaj nëse shfaqet një nevojë apo situatë që unë nuk e di sot kjo është temë tjetër. Por në parim jo”, vijoi, ndërsa u fokusua dhe te organizimi i PS-së, largimi i Ditmir Bushatit si koordinator, dhe shkarkimi i Arben Malajt si anëtar i Këshillit në Bankën e Shqipërisë.
“Pyesni deputetët që kanë kërkuar largimin e zotit Malaj. Ju jeni të lirë të mos e besoni, por unë nuk lexoj. Është pjesë e paqes, vetëm në raste shumë të rralla që më rekomandon Fuga (këshilltari për Median). Nuk ka asgjë personale. Sa i takon Bushatit nuk ka lidhje. Nuk më rezulton që të ketë bërë një kritikë… por s'ka lidhje. Shkodra është prioritet për mua dhe shumë i rëndësishëm në të gjitha aspektet. Nuk ka të bëjë me politikën dhe votat. Është fatkeqësi Shkodra që kemi sot. Jam i vendosur që për Shkodrën të bëjmë ndryshimin që kemi bërë në vendet e tjera. Duhet një person çdo ditë e çdo natë aty”, theksoi kryeministri.
Kryesocialisti u pyet nëse Rama i dikurshëm i viteve ’90 do të kritikonte sot kryeministrin Rama, çfarë do të shprehte. Gazetari e pyeti se çfarë do të mendonte Rama i atyre viteve për ato që do të ndodhnin më pas, si pakti me Berishën në 2008, marrëveshja me Bashën në 2017, tërheqja nga greva e urisë, apo dosjet e nxehta 339 dhe 184.
“Në atë kohë (Edi Rama) nuk kishte hyrë në asnjë zyrë shteti përveç se në Institutin e Arteve dhe në Galerinë Kombëtare. Ai Rama me flokë hyri në një zyrë shteti si ministër Kulture dhe nuk merrte vesh nga jeta që zhvillohej në anën tjetër të barrikadës. Në shumë gjëra do më kundërshtonte se s’do më kuptonte”, tha kryeministri i gjendur në një befasi nga kjo pyetje.
Gazeta "Si" e pyeti kryeministrin se si do të veprojë për ligjin “Antishpifje” që ka dërguar në Parlament dhe nëse do të merren në konsideratë sugjerimet më të fundit të përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias për rishikimin e draftit. Por Rama iu përgjigj se draftet e paraqitura në Parlament janë dakordësuar me OSBE-në, pa dhënë ndonjë përgjigje të prerë nëse do të ta rishikojnë ose propozimin që kërkohet për të mos i dhënë “kompetenca” në formë e një Gjykate AMA-s.
"I kemi rakoduar të gjitha me OSBE-në për ligjin e shpifjes, që është në proces. E kemi harmonizuar ligjin me OSBE-në dhe në shtator do të futet në procedurë. Është punuar me ekspertë të OSBE-së" tha ia.
Prejardhja greke, Haradinaj dhe gylenistët
Kryeministri është pyetur mbi marrëdhëniet me Greqinë fqinje ku tashmë në pushtet ka ardhur e djathta, me Demokracinë e Re, si dhe për deklaratat e lëshuara nga ministri i Jashtëm grek se Rama ka origjinën shqiptare. Ai hodhi poshtë çdo mundësi lidhje origjine me Greqinë, duke shtuar se nuk do mërzitej nëse do ishte i vërtetë pohimi i Ministrit të Jashtëm grek, por shprehet se nuk ka asnjë qelizë.
“E para punës, që të jem i qartë unë kam në dejet e mia një miks dhe nuk do isha aspak i mërzitur dhe nuk do ndihesh aspak keq nëse do kisha edhe një pjesë gjaku grek por nuk kam asnjë qelizë, nuk e kam pasur këtë prurje ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera ashtu si kundër kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, Berati, Vunoi, Vlora. Kështu që për të qenë të qartë në këtë pikë. Nga ana tjetër dua ta them qartë dhe këtë që për mua ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë që të jemi të qartë dhe për këtë. Duke qenë se nga pikëpamje fetare, nëse e lexojmë kështu, kam edhe rrjedhë katolike, edhe ortodokse dhe duke qenë se për vullnetin e vizionin e gjyshes sime jam katolik dua ta nënvizoj shumë qartë ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë. E kemi të ndarë këtë pjesë, Greqi e ka bashkë por nëse për ta, me të drejtën e tyre, çdo grek është ortodoks, për mua çdo ortodoks shqiptar është shqiptar. Ndërkohë që vëllezërit tanë të minoritetit janë ortodoksë dhe grekë, janë grekë dhe ortodoksë”, deklaroi Rama.
Sa u përket marrëdhënieve mes dy shteteve, kryeministri u shpreh se është e nevojshme vendosjen e pikave mbi “i” dhe zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje mes palëve. “Nuk diskutohet se gjithmonë dëshira, synimi, qëllimi kanë qenë për marrëdhënie më të mira të mundshme. Kemi pasur çështje për t’u diskutuar, kemi bërë negociata sepse janë çështje të së shkuarës që na janë paraqitur historikisht si problem për të ardhmen për arsye politike. Me qeverinë e re duam të kemi vazhdim të dialogut për çështjet, duam të kemi miqësi, mirëkuptim, respekt sepse marrëdhëniet tona miqësore nuk mund të varen nga origjina politike e një qeverie apo një tjetre. Janë të majtë, janë të djathtë, janë të qendrës, janë të gjitha bashkë në Tiranë apo Athinë kjo nuk duhet të ketë rëndësi. Është e rëndësishme të intensifikojmë dialogun për të vënë pikat mbi i', mbi disa aspekte të deformuara për shkak të informacioneve, trajtimeve të gabuara nga nivele të caktuara të medias apo politikës mbi respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Minoriteti grek është i dëshiruar dhe i shikuar si pjesë integrale e padyshimtë e bashkëjetesës sonë dhe si pasuri, si urë lidhëse. Asnjëherë nuk ka pasur tendencë negative kundrejt minoriteti grek. Nuk diskutohet”, theksoi kryeministri.
Gazeta "Si" pyeti kryeministrin se pse nuk pati një reagim ndaj dorëheqjes së bërë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas thirrjes për të dëshmuar në Hagë, por u fokusua vetëm te lufta e UÇK-së.
“Është gjëja më normale më duket mua, se te lufta e UÇK-së përfshihet dhe Ramush Haradinaj dhe jep apo jo dorëheqjen është një çështje politike dhe taktike. Në raport me luftën e konsideroj Haradinajn, Jakup Krasniqin e të gjithë ata që u thirrën në Gjykatën e Hagës, si përfaqësues të një lufte çlirimtare. Ajo luftë nuk mund të njolloset dhe nuk mund të reduktohet në gjithë përmasën e saj heroike dhe historike, ku padyshim edhe Ramushi ka një rol. Në raport me luftën unë e konsideroj Ramush Haradinaj dhe Jakup Krasniqin si anëtarë të një lufte çlirimtare, e cila nuk mund të zhbëhet dhe as nuk mund të tjetërsohet nga këto akuza”, theksoi kryeministri.
Rama u pyet edhe për çështjen e gylenistëve, ku pas takimit me presidentin turk Erdogan, ministri i Brendshëm i Turqisë ka deklaruar se kanë biseduar për çështjen e grupimit FETO. Kryeministri ishte i prerë dhe deklaroi se "po, kanë biseduar për gylenistët", por pa dhënë ndonjë informacion nëse do t’ia plotësojë kërkesën mikut të tij Erdogan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.