Marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për ndërtimin e qendrave pritëse të emigrantëve në Lezhë ka hyrë në muajin e gjashtë të operimit, kohë e cila duket se ka shërbyer për të ndërtuar transenë ligjore të funksionimit të saj.
Sipas marrëveshjes, shpenzimet për funksionimin e këtyre qendrave janë të palës italiane, por shteti shqiptare gëzonte të drejtën për t’i dhënë hua dhe një të tillë kabineti Rama duket se e ka bërë. Nëpërmjet një komunikimi zyrtar me Ministrinë e Brendshme, A2 CNN ka mësuar se qeveria shqiptare ka alokuar në fond total prej 289 milionë lekësh, nga të cilat 100 milionë për armatime.
“Fondi i kërkuar nga Ministria e Brendshme në kuadrin e rishikimit të buxhetit me Aktin Normativ ishte në shumën 289 milion lekë ku përfshiheshin blerje pajisje, armatim dhe mjete transporti. Në fondin e miratuar me Aktin Normativ nr. 3 në shumën 100 milion lekë, janë financuar blerje pajisje armatimi ndërsa blerja e mjeteve të transportit do të financohet në vitin 2025 për arsye të kohës së nevojshme që kërkojnë procedurat e prokurimit për blerjen e tyre. Çdo shpenzim për personelin dhe logjistikën për njësinë policore që operon në strukturat pritëse për migrantët do të rimbursohet nga pala italiane”.
Sipas marrëveshjes Rama – Meloni, qendrat pritëse në Shën Gjin dhe në Lezhë do t’i kushtojnë shtetit italian 600 milionë euro të cilat do të shpenzohet për 5 vite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.