Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar një letër urimi Albin Kurtit, i cili sapo është zgjedhur kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurti e ka marrë letrën nga ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.
Në këtë letër Rama thekson vendosmërinë për të zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Po ashtu, Rama e fton Kurtin për një vizitë në Shqipëri në një moment më të përshtatshëm.
Letra e Ramës
Shkëlqesia Juaj, i dashur Albin,
Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimin e sfidave të qeverisjes.
Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverisë që unë kryesoj për t’i zgjeruar e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19.

Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetesës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve. Unë mbetem gjithashtu besimplotë se Ju dhe ekipi Juaj qeverisës do t’i kapërceni me sukses sfidat, me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik e integrues në rajon dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.
Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit Tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




