Politike

Rama: Hyn në fuqi detyrimi i regjistrimit të hapësirës publike! Listë e zezë për shkelësit e ndërtimeve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e Regjistrit Kombëtar Elektronik për lejet e ndërtimit.

Një tjetër masë, tha Rama, është krijimi i listës së zezë, ku do të përfshihen të gjithë ata që shkelin ligjin për ndërtimet nga administratorët, ortakët, pronarët përfitues e deri te arkitektët.

“Kjo listë do të përditësohet nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Do të aksesohet nga të gjithë regjistri në faqen elektronike.  Gjithë ky proces ndalimi do të thotë se nëse një subjekt ka kryer punime në kundërshtim të lejes së miratuar, dhe ka shtuar ose ndryshuar qoftë edhe fasadën, këto shkelje natyrisht pasohen me gjoba e ndëshkimet e tjera, por e bëjnë menjëherë subjektin një subjekt të listës së zezë. Janë të gjithë ata që përfshihen në këtë proces ku hyn edhe arkitekti të cilit i hiqet licenca pët 5 vjet dhe s’mund të ushtrojë profesioni “, tha Rama.

Rama gjithashtu tha se nga tani hyn në fuqi ligji për regjistrimin e hapësirave publike. Ai u ndal të hapësirat e përbashkëta që kanë banorët apo bizneset e pallateve.

Sipas tij, bëhet fjalë për regjistrimin e pronës publike për çdo ndërtues që do të ndërtojë një godinë, qoftë për bllok apartamenteh apo biznesesh, duke bërë me dije që zona rreth e rrotull ndërtimit, do të jetë pronë publike e të gjithë bashkëpronarëve të komunitetit.

“Deri më sot nuk ka qenë rregulli i regjistrimit të hapësirës publike. Sot me këtë masë të re hyn në fuqi si një detyrim ligjor pikërisht regjistrimi i hapësirës publike. Që domethënë kur kemi një zhvillim të caktuar mbi një pronë private për një godinë, e cila pastaj ju jepet një numri të caktuar familjesh apo biznesesh, çdo metër katror rreth e rrotull e godinës nuk është më pronë private, është publike.

Nuk mund të ketë aty gardhe e zhvillime të tjera për privatin pasi vetë koncepti i shfrytëzimit të pronës domethënë nga kjo në ti mund të shfrytëzosh ka dhe pjesa tjetër i takon të gjithëve”, tha Rama.

Kryeministri pati dhe një mesazh për aktorët e drejtësisë që “favorizojnë” zaptuesit e hapësirave publike.

“Kjo bën që të jenë të gjithë të qartë të gjithë ata që sot janë në pozicionin e zaptuesit, edhe ata të gjykatës të cilët në rastin më të mirë nga injoranca, e në rastin më të keq nga paraja, japin të drejtë zaptuesve. Nuk mundet dot askush të pretendojë që ka pronën e vet pasi më parë i ka marrë asaj prone të gjitha të ardhurat si pasojë e një zhvillimi.

Asnjë pronar privat nuk ka të drejtë të bëjë asgjë pa leje“, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë